Nga Artur Ajazi
Ish-Teatri Kombëtar u shemb, dhe bashkë me ngrehinën e tij u shemb edhe shpresa dhe propaganda dashakeqëse e ish-opozitës më destruktive që ka patur ndonjëherë ky vend. Por më e rëndësishme sot mbetet shembja e “teatrit” të Ilir Metës. Kryeministri Rama me urgjencë, duhet të shembë edhe “teatrin” e Metës.
Ai mbetet akoma një ngrehinë, që tenton që të trazojë deri në ekstrem skenën dhe segmente të papërgjegjshme të politikës. Një kryetar shteti, që përvesh llërët dhe vetshpallet kryetar opozite, një kryetar shteti që takohet më shpesh dhe më shpejt me ambasadorët dhe Lulzim Bashën, se me kryeministrin e vendit, padyshim ka humbur besimin tek shumica e shqiptarëve.
Një kryetar shteti, që luan dhe bën teatër me ligjet e miratuara nga Parlamenti, që bën thirrje antikushtetuese për të “rrëzuar qeverinë e mafies”, që del hapur kundër një force politike, dhe rreshtohet hapur pro një tjetre, padyshim e ka humbur legjitimitetin të qëndrojë në detyrë. Teatrin e tij Meta e ka nisur qysh herët, nga koha e Nanos, duke e vazhduar pastaj me krijimin e partisë tij, kur pas leximit të rezultateve të zgjedhjeve, ai hidhej sa tek Doktori, dhe pastaj tek Edi Rama. Por kjo gjë mori fund, kur partisë tij, i doli kallai, duke mos arritur të bëhet “faktor” në qeverisje, dhe duke u katandisur si mos më keq.
Teatrin e tij Meta, e ka vazhduar edhe më tej, edhe kur mori me votat e Partisë Socialiste postin qyl, të kryetarit të shtetit, duke besuar verbërisht se “tani jam Sulltani”. Teatri i Metës me aktorë edhe nga SHQUP-i, ka vite që po mban peng të ardhmen e vendit, reformimin e politikës, europianizimin e Shqipërisë. Teatri i Metës, duhet shembur, pasi çdo minutë që kalon, rrit ndjeshëm kostot për stabilitetin e vendit, integrimin, dhe reformimin e institucioneve ligjzbatuese.
I rreshtuar si asnjëherë tjetër në krah të ish-opozitës, (dashurisë së vjetër) duke marrë rolin e “kryeopozitarit”, kryetari i shtetit sot është teatri i fundit, që duhet shembur, pengesa e fundit për marshimin e Shqipërisë drejt Europës. Dalja hapur, kundër ambasadorëve të vendeve partnere të Shqipërisë, përkrahja hapur e veprimeve antiligjore të një grupimi aktorësh dhe protestave politike të një aleance që gjoja “mbron teatrin”, është pjesë e skenarit të një shfaqje teatrale që Meta po e shfaq çdo ditë. Ilir Meta ka vite që luan teatër me politikën, ka vite që luan teatër me ata që fitojnë apo dhe
humbin zgjedhjet. Ai tani ka dalë hapur kundër qeverisjes së Edi Ramës, jo për “parime dhe ideale”, as për “mbrojtjen e ligjeve kushtetuese”, duke shpalosur gjuhën e forcës, përmes presioneve dhe kërcënimeve. Ilir Meta e ka harruar se Edi Rama, e njeh mirë këtë “manovër”, ashtu siç e di mirë se edhe “teatrit të tij” do ti shemben themelet.
Por pavarsisht kësaj, Ilir Meta nuk ka ndërmend ta ndalë “luftën”, duke mos harruar për asnjë moment të rrëmbejë edhe de jure , vendin e kryeopozitarit. Mes tij dhe Doktorit, duket sikur ka një “ujdi” të fshehtë, e cila gjithsesi do të bëhet publike, kur Lulzim Basha të humbë sërish zgjedhjet në 2021. Por deri atëhere edhe “teatrit” të Metës, do ti ketë vajtur fadroma…