Silva Bino, përgjegjëse e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik foli për Agjencinë Telegrafike Shqiptare lidhur me situatën epidemiologjike aktuale në vend.

Ajo tha se situata prej mesit të prillit paraqitet e qetë ndërsa theksoi se nuk ka shpërthime komunitare të virusit. Sipas doktoreshë Binos, personat e identifikuar pozitivë kanë qenë asimptomatikë, pra pa shenja të virusit dhe kjo është mundësuar falë gjurmimit të kontakteve.

“Në ditë të caktuara kemi pasur shpërthime epidemike. Situata ka kohë që është e qëndrueshme që në mes të prillit. Për shkak të shpërthimeve që mund të ndodhin në fasoneri apo grumbullime të caktuar njerëzish, kemi pasur rritje të numrit të rasteve herë pas here. Identifikimi i tyre ka ardhur si rezultat i gjurmimit të kontakteve dhe të gjithë personat kanë qenë asimptomatikë.

Në ditët në vijim do të shohim edhe ecurinë e numrit të të prekurve. Me lehtësimin e masave sigurisht që shumë qytetarë po i respektojnë rregullat por ka edhe nga ata që nuk i respektojnë. Ndaj dy javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme sepse edhe periudha e inkubacionit të virusit është dy javë. Duhet të sqarojmë që kemi të bëjmë më një sëmundje tepër ngjitëse megjithëse ajo që mund të them është që nuk parashikojmë rritje galopante të rasteve duke qenë se nuk kemi shpërthime komunitare por shpërthime të caktuara si fasoneri apo raste të veçanta”, -u shpreh Bino për ATSH-në.

Ajo theksoi se orari i lëvizjes dhe kufizimit deri në orën 21:00 është pozitiv, sepse është një periudhë ku mund të kufizosh kontaktet, pra virusin.

“Ne kemi përforcuar kapjen e rasteve të hershme. Por punojmë më shumë me mjekun e familjes dhe situata ka ardhur në normalitet. Orari i vendosur i kufizimit deri në orën 21:00 është i rëndësishëm sepse edhe bizneset arrijnë të punojnë por përsëri kjo është një periudhë që mund të kufizosh kontaktet e personave dhe në këtë mënyrë edhe virusin. Pra, kufizojmë kontaktet sidomos në këtë periudhë ku qytetarët duan të dalin për shkak se është edhe pranverë, edhe temperaturat janë favorizuese”, tha Bino për ATSH.

Doktoreshë Bino u shpreh se ekspertët nuk e kanë ulur vigjilencën e tyre, përkundrazi është rritur me lehtësimin e masave kufizuese për qytetarët.