Ditën e sotme ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, bashkia Sarandë ka zhvilluar një takim me operatorët turistik.

I pranishëm në takim ishte vetë kreu i bashkisë Adrian Gurma bashkë me operatorët kryesorë turistikë në Sarandë, për të diskutuar rreth problematikave të turizmit dhe dëgjuar kërkesat e tyre.

Në fjalën tij Gurma shprehu si fillim falenderimin e tij për respektimin e të gjitha masave që janë kryer nga qytetarët në Sarandë, duke e futur qyetitin në hartën e bashkive të gjelbërta që ka më tepër lehtësime.

Gurma u premtoi operatorëve turistikë se do të jenë në krahun e tyre për tu plotësuar kërkesat në nisje të sezonit, që këtë vit është penalizuar për shkak të virusit COVID-19, ndërsa shtroi kërkesat e tij për të thithur sa më shumë turistë vendas, kosovar, por dhe ata nga Maqedonia e Veriut.

“Në rradhë të parë përveç falenderimit për ju, do të doja që gjithësecili të marri përgjegjësit dhe të jetë më mirëkuptues karshi rregullave dhe standarteve të reja që ne do të kemi gjatë ofrimit karshi të gjithë pushuesve, sepse na intereson më shumë mbarvajtja dhe siguria.

Duam që Saranda të jetë një markë jo vetëm siç ka qenë vitet e tjera në avagartën e turizmit apo Perla e Jonit siç e kemi quajtur, por të jemi në të njëjtën kohë edhe marka e sigurisë.

Në bashkëpunim me Shoqatën e operatorëve turistikë, kam marrë miratimin të cilin e kam shpalosur dhe në media për drejtimin e zhvillimit dhe të trajtimit të paketës turistike krahasimisht me vitet e tjera me një situatë ndryshe sa i përket ofertës.

Ai 20% më i lirë, unë them se nuk duhet të diskutohet, sepse në fund të fundit do jetë fitim për të gjithë ne.

Sa i përket bashkisë mbështetja jonë do të jetë maksimale. Kemi hedhur nga ana jonë disa opsione për lëvizshmërinë dhe për mënyrën e qasjes së re të siutatës, sa i përket stacioneve të plazheve. Ka dal një draft protokoll që besoj se ju jeni të gjithë të informuar. Unë do të doja që mbi bazën e sugjerimeve që keni t’ia përcjellim Ministrisë së linjës argumentat tuaja.

E kam thënë edhe në prononcimet e mëparshme se Saranda ka specifikët e veta, për faktin se është vijë mjaft e limituar bregdetare. Nuk është si vija bregdetare që ka Durrësi, Velipoja, Himara, Vlora etj. Ne kemi një vijë bregdetare mjaft të limituar, ne kemi një dendësi mjaft të madhe të hoteleve të cilët problematikën më të madhe kanë ndarjen e stacioneve të plazheve.

Dhe një nga kërkesat e para që unë kam kërkuar për t’i ardhur në ndihmë jo vetëm bizneseve por dhe pushuesve, është një kërkesë specifike drejtuar Ministrisë së linjës për shtimin e hartës së stacioneve të plazhit.

E dyta ashtu siç e kam premtuar dhe në fushatë elektorale që e kemi përcaktuar tashmë, pasi ka qenë dhe një kërkesë e qytetarëve sarandiot që brezi i vjetër, linja e vjetër tradicionale e plazhit, nga plazhi i ri deri tek ish- Hotel Butrinti të jetë e gjitha pa pagesë. Të mos ketë vendosje të shezlloneve as nga bashkia siç ka qenë vitet e tjera. Këtë vit do të jetë e lirë për qytetarët.

Patjetër pikë e rëndësishme e ofertës tonë, e diskutimeve dhe sugjerimeve tona do të jetë edhe çështja e taksave dhe e pagesave, të cilat ne jemi duke i diskutuar me subjektet, me drejtorinë përkatse dhe strukturat e tjera të bashkisë, për të bërë të mundur që të ketë sa më shumë lehtësira dhe përftime të biznesit në bazë të paketës fiskale. Kuptohet që duhet të jemi të gjithë të qartë se buxheti që tani ka reflektuar një mungesë edhe për shkak të situatës për mos arkëtime për një kohë të gjatë, megjithatë kjo nuk do të thotë që ne nuk do të jemi në krah të biznesit dhe operatorëve turistike”, tha Gurma gjatë fjalës së tij.

Më pas rradhën e kishin operatorët turistikë që kërkuan që të lejohen të nisin punën bashkë me stafet e tyre, të kreyjnë përgatitjet në prag të sezonit dhe të mos pengohen nga ana e policisë.

Ata kërkuan që taksat në mos të falen të përgjysmohen për shkak të krizës financiare, duke qenë se shumë prenotime u janë anulluar.

Një tjetër kërkesë e operatorëve ishte dhe pjesa e hapsirave në plazhe që sipas tyre duhet të rishikohet nga Ministria sa i përket pjesës së Sarandës, pasi siç u tha dhe nga kryetari Adrian Gurma, Saranda ka një vijë bregdetare të limituar.

Më poshtë mbledhja dhe diskutimet e plota mes operatorvë turistikë dhe kreu të bashkisë. /Marrë nga Sarandanews.com/