Shoqërimi i dhjetëra të huajve që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe që ndeshen shpesh nëpër rrugë, apo dyshohen si shkelës të ligjit, ka hapur një problem që nuk po gjen ende zgjidhje. Sipas një burimi zyrtar të Policisë së Shtetit oficerët e policisë që marrin deklaratat e të dyshuarve, po përballen me mungesën e përkthyesve të atashuar pranë Ministrisë së Drejtësisë.

“Është detyrim ligjor pyetja e këtyre shtetasve në gjuhën e nënës. Por shumë shtetas afganë, sirianë etj, pasi nuk gjenden përkthyes dhe pasi mbahen nëpër komisariate me orë të stërgjatura, ka pasur raste që janë arrestuar pa u vënë në dijeni në gjuhën amtare mbi kartën e të drejtave”, pohoi një burim policor që shpreh shqetësimin e dalë në dritë muajt e fundit.

Ndonëse oficerë të shumtë e kanë ngritur si problem, nuk ka ende një reagim ndërinstitucional nga Ministria e Drejtësisë që është përgjegjëse për atashimin e përkthyesve zyrtarë gjatë proceseve hetimore.

Por sakaq, në trend është kthyer jo vetëm kalimi i paligjshëm i kufirit, por edhe përdorimi si korridor i Shqipërisë nga klandestinët. Policia bën me dije për Gazetën “Si” se emigrantët e paligjshëm që dhjetë muajt e fundit po e përdorin hapur Shqipërinë si rrugë kalimi drejt Evropës, po hyjnë edhe nëpër shtëpi. Një burim i sigurtë pranë Policisë së Shtetit pohoi për Gazetën “Si” se javën e fundit në kryeqytet është regjistruar një bum denoncimesh ndaj emigrantëve që raportohen se strehohen në qendrën e azilkërkuesve. Azilantët në kamp thonë se largohen prej andej për shkak të kushteve të këqia dhe mungesës së ushqimit.

Siç shprehet A. Zayr për Gazetën “Si”, në qendrën e azilkërkuesve njerëzit vuajnë nga uria dhe ky është shkaku se përse të gjithë largohen duke u kthyer në endacakë, apo në lypës. Nga të dhënat që Gazeta “Si” disponon dhe nga burime të sigurta në Policinë e Shtetit, rezulton se shtetasit sirianë, afganë apo të kombësive nga Lindja e Mesme, në shumë raste të evidentuara tashmë si trend në kriminalitet janë kthyer edhe në keqbërës. “Janë bërë kryesisht hajdutë”, thotë një zyrtar policie që u bën apel qytetarëve. “Këta hajdutë janë të dhunshëm, qytetarët tregojnë që agresori i ka qëlluar e dhunuar në çastet kur viktima ka bërë rezistencë”, thotë oficeri i policisë.

Dosja e policisë e vendosur në dispozicion të Gazetës “Si” tregon se si Zaine El Adidine nga Algjeria, në vendin e tij ishte mësues matematike. Kur u kap nga policia shqiptare ai u dërgua në qendrën e azilkërkuesve, më pas ai përfundoi si endacak dhe në fund u arrestua për vjedhje në kryeqytet. Mësuesi i matematikës u konstatua nga patrullat e policisë mesnatën e kaluar teksa po udhëtonte me një bicikletë. Së bashku me mësuesin endacak u kapën edhe Gabriel Abdallai nga Egjipti dhe Abdelkrim Bel Bekhtai nga Algjeria. Policia i ndoqi në distancë tre të panjohurit që po drejtoheshin drejt një banese të braktisur, që dikur përdorej edhe si magazinë. Nga hetimi i mëpasshëm i të tre të dyshuarve, rezultoi se njëri prej tyre kishte një gram hashash, ndërkohë që biçikleta mendohet se është e vjedhur.

Por mësuesi i matematikës tregoi se kishte 12 ditë që kishte kaluar kufirin duke ardhur nga Greqia. Pasi kishte qëndruar në kamp, ai ishte larguar për shkak të mbipopullimit dhe kushteve aspak të mira sipas tij. “Dola për të lypur në qendër të Tiranës bashkë ne Gabrielin, në kthim kur po vrisnim mendjen se ku do flinim, takuam edhe Abdelkrimin, edhe ai i pastrehë. Na tha se do flinim në një magazinë të braktisur. Ne nuk kemi vjedhur asgjë”, deklaroi për policinë mësuesi i kthyer në endacak në Shqipëri.

Por Policia e Shtetit ka kaluar në gjendje alarmi nga një sërë denoncimesh, të qytetarëve që pretendojnë se shtetas të huaj u kanë hyrë në banesë dhe i kanë vjedhur. Madje në një nga masat e ndërmarra përpara gjendjes së Covid-19, një burim jo zyrtar tregon për Gazetën “Si”, se edhe plani i masave ku bazohet patrullimi policor ka ndryshuar. “Kryesisht po patrullohet më shpesh në zonat e bizneseve, automjetet policore janë porositur të patrullojnë në lagjet ku ndriçimi lë për të dëshiruar”, shprehet një zyrtar i Policisë së Tiranës që nuk preferon të identifikohet.

Por ndërkohë pronari i një dyqani servisesh me inicialet K.L., është njëri nga qytetarët e dëmtuar. Kur ai shkoi në polici pasi kuptoi që i kishin vjedhur një kompjuter, kamerat e sigurisë treguan skenën e grabitjes. I riu që banon në Rrugën “Egnantia”, ka kthyer krahët nga banaku vetëm një minutë dhe ndërkohë aty shfaqet një djalë. “Ai mban në krahë dy çanta, duket që është i huaj. Merr kompjuterin dhe ikën”, rrëfen skenën e filmuar një ekspert i kriminalistikës. Sipas këtij të fundit, si ky rast janë këqyryr dhjetëra të tjera, me hajdutë që mbeten të paidentifikuar për shkak se ata e përdorin Shqipërinë si një urë kalimi dhe ndaj mbeten të paidentifikuar e të paskeduar.

Ata ishin sirianë… ndoshta

Shtetasja E.B. është një financiere e punësuar në një kompani të produkteve kozmetike. E dëmtuara tregon në polici: “Dyqani gjendet pranë shkollës “Servete Maçi”. Erdhën dy shtetas të huaj, u sollën si klientë. Tani që e mendoj, më duket se ishin sirianë. Pasi lëvizën në dyqan për katër minuta, njëri prej tyre që po shikonte një parfum që kushton 120 euro e mori dhe u largua me vrap. Pas tij iku edhe personi i dyti”. Por ndërsa kjo denoncuese ka mbetur e shtangur dhe më pas ka thërritur për ndihmë, nuk ka reaguar kështu një tjetër shtetas i dëmtuar nga sirianët e arabët endacakë. Shtetasi S.P. e ka kapur vetë hajdutin, që më pas ka rezultuar të ishte nga Palestina. Policia thotë për Gazetën “Si” se i dyshuari është Jaafar Bidki, 24 vjeç. Por ai nuk nuk kishte asgjë në duar në momentin e ndalimit dhe tha se ishte thjesht një kalimtar. Qytetari S.P. tregon se e kishin zgjuar të lehurat e qenit që mban në oborr. “Dola jashtë dhe në brendësi të lokalit pashë një person të panjohur. Herëpashere kanë hyrë në lokal dhe kanë boshatisur frigoriferin. Mendoj që hajduti po bënte të njëjtën gjë”, rrëfen ai. Sipas rrëfimit të dhënë në polici, personi i panjohur është larguar me vrap, por pronari e ka arritur duke e mbajtur për krahësh deri sa ka mbërritur policia.

Rastet emigrantëve të paligjshëm në kërkim të ushqimit janë të pafundme. Të gjitha referohen nga të dëmtuarit pranë policisë, e cila për shumë denoncime referon: “ngjarje e pazbardhur, pezullohet”. Në dosjen që Gazeta “Si” disponon ekskluzivisht, ilustrohet edhe sulmi ndaj një qytetari nga azilantë që pasi kanë lypur, kur kanë ndeshur në indiferencën e qytetarit, e kanë rrahur atë.

Rrëfimi

Shtetas i A.H. po pinte kafe së bashku me shokun e tij. “Në lokal hyri një person që ngjante si sirian. Në syrin e majtë kishte një shenjë. Ai lypi lekë, ne nuk i kthyem përgjigje. Më pas ai doli dhe u kthye me dy persona të tjerë. Na sulmuan me thikë në krahë, ndërsa dy të tjerët goditën me gurë lokalin”, ka rrëfyer ky shtetas. Burimi i policisë thotë për Gazetën “Si” se kjo ngjarje ka ndodhur në rrugën “Urani Pano” dhe pas verifikimeve dhe këqyrjeve të kamerave, u zbulua se autor ishte shtetasi sirian Abdel Zatry. I pyetur gjatë hetimit, i dyshuari tregon: “Kam ardhur në Shqipëri në muajin mars 2020 dhe qëndroj në qendrën e azilkërkuesve në Tiranë. Në datën 5 qershor hyra në lokal për të folur me familjen time në Siri. Kur porosita kafe dhe po flisja me nënën, dy persona më kërkuan të ulja zërin. Nuk kisha thikë me vete. Ata më hodhën cigaren në kokë dhe më goditën. Shkaku i kësaj ngjarjeje ishte ngaqë unë po flisja më zë të lartë”, ka dëshmuar Zatry. Policia referoi të dyja deklaratat edhe të palës së dëmtuar edhe të sirianit, si edhe kameran e sigurisë që e tregon atë duke ecur në rrugë me duart në xhepa.(Gazeta “Si”)