Republikanët dhe demokratët po përpiqen të tërheqin votuesit më të moshuar, 65-vjeç e sipër. Sipas anketave, demokrati Joe Biden po avancon me këtë grupmoshë krahasuar me Presidentin Trump.Gara për të tërhequr amerikanët e moshuar do të shfaqet edhe më qartë në shtetet fushë-betejë që kanë popullata më të mëdha të këtij grupmoshe, si Florida dhe Arizona, thotë Thomas Volgy i Universitetit të Arizonës.

Një ndër pesë amerikanë me të drejtë vote në Arizona është i moshuar, sipas statistikave. Për më tepër, thotë zoti Volgy, “personat mbi 65 vjeç marrin pjesë në përqindje më të larta në votime se grupmoshat e tjera”.Për këtë arsye ky grup votuesish kanë një ndikim më të madh në këto shtete se në shtete të tjera. Në një diskutim në Shtëpinë e Bardhë më 15 qershor, presidenti konfirmoi “angazhimin e patundur” për të mbrojtur popullatën e moshuar të vendit. Në fund të majit, ai njoftoi një nivel tavan për çmimin e insulinës, duke përmendur të moshuarit që do të përfitonin nga kjo masë.

Një organizatë pro zotit Biden, e quajtur Ura Amerikane, ka filluar një fushatë reklamash që kanë në fokus votuesit e moshuar në shtete ku Presidenti Trump fitoi me epërsi të vogël: Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin.Në 2016, Presidenti Trump mundi demokraten Hillary Clinton në radhët e të moshuarve me rezultatin 52-45%. Sot presidenti renditet pas zotit Biden në shumicën e anketave me amerikanë mbi 65 vjeç, sipas anketës së fundit nga New York Times/Siena College Poll.Fushata e Presidentit Trump i ka vënë në pikëpyetje rezultatet e një ankete të CNN më 8 qershor që tregonte se 54% e të moshuarve kanë opinion negativ për udhëheqjen e zotit Trump.Anketuesit thonë se po shfaqet një prirje e qartë. Presidenti “Trump nuk po ecën në drejtimin e duhur,” thotë Tim Malloy i qendrës së anketimeve me Universitetin Quinnipiac.Ka plot të moshuar që nuk kanë vendosur ende për kë do votojnë. Por infermierja në pension, Kathy, e cila jeton në Nebraska, ka vendosur të votojë për zotin Biden. “Dua një president që kujdeset për njerëzit e këtij vendi më shumë se për veten, për bizneset apo paratë e tij dhe për fitoren në zgjedhje,” thotë ajo.

Ed Liu, pensionist që ka punuar më parë në industrinë e naftës, shpjegon përse mbështet presidentin: “Nuk jam 100% dakord me ato që ka bërë. Por ai është i vetmi politikan që kam parë, që vë në jetë ato që premton në fushatë”.Gerry O’Shea, i lindur në Irlandë por banues në Nju Jork prej vitesh, e prezanton veten si demokrat me bindje. Ai thotë se do që presidenti i vendit të dëshmojë kompetencë dhe integritet, prandaj ai thotë se po voton për zotin Biden.Julie Kirkham nga Kalifornia, është mbështetëse e Presidentit Trump pasi thotë se zoti Biden nuk ka energjinë e nevojshme për këtë detyrë. Po ashtu ajo ka pikëpyetje për të kaluarën e zotit Biden. “Nuk mendoj se ka bërë sa duhet si politikan gjatë gjithë atyre viteve në Uashington”.Zoti Biden ka aktualisht mbështetje 50% në të gjithë grupet demografike votuese në SHBA.“Kur konkurrenti i presidentit arrin 50% përkrahje, është shumë e vështirë të humbasë zgjedhjet,” thotë zoti Volgy.Por gjërat mund të ndryshojnë në muajt në vazhdim. Katër vjet më parë anketat parashikonin fitore për zonjën Clinton, por rezultuan gabim.Të dy kampet kanë nxjerrë mësime dhe tani po punojnë fort për të tërhequr pas vetes të moshuarit, një grupmoshë shumë e rëndësishme në shtete që mund të rezultojnë vendimtare për fitore në nëntor 2020.