Nga Kimete Berisha/
Vjosa Osmani e ka nxit Djallin, fakt, dhe në luftën e saj serike kundër LDK-së ka pasur dalldi, entuziazëm dhe është ndjerë mirë, është ndjerë kryesorja, ekstravagantja, më e guximshmja.
Ia vlen të rrezikosh për sentimente kaq të ‘mëdha’, ndaj vetvetes, për ndjenja kaq të forta.
Sepse Vjosa vazhdimisht është dalluar nga të gjithë, kjo, e vetme kundër të gjithëve.
Vjosa Osmani gjithmonë është dukur sikur nuk ka nevojë për LDK-në, sikur nuk ka nevojë për asnjërin në LDK, por se LDK-ja ka nevojë për të dhe se ‘pa të nuk bën’.
Dhe, kjo bindje e ka bërë të jetē e vetëkënaqur, e vetëmjaftueshme, açik krejtve, pashmangshëm
egocentrike dhe mospërfillëse ndaj vendimeve të partisë.
Sepse ka qenë e bindur se vlen më shumë se të gjithë ‘ata’.
Ka mjaftuar ti kujtohet Ibrahim Rugova, pa të cilin po ‘bën’ LDK-ja, për ta shpëtuar veten nga dashuria e tepërt për veten.
Sepse, vërtetë, ‘nuk ekziston Ai pa të cilin nuk bën’.
Duke e mbivlerësuar vetveten, e ka provokuar Djallin, e ka provokuar Isa Mustafën, armikun fundamental, që sot mua ma kujtoi Papa Leo X, kur e ekskomunikoi Marthin Lutheri-n nga Kisha Katolike, sepse Lutheri refuzoi të heq dorë nga teknikat e tij reformatore.
Kur u përjashtua nga Kisha Katolike, Martin Luther e quajti Papa Leo X ‘Antikrisht’.
E quajti Djall.
Sot Isa Mustafa e ekskomunikoi Vjosa Osmanin nga LDK, ‘ia mbylli dyert’, ia mbylli dyert ashpër dhe ia përplasi hundëve tmerrësisht vrazhdtë, dhe nuk e përjashtoi për ta ndëshkuar për ‘mëkatet’ e saj, por për ta bindur Vjosa Osmanin se bën ‘edhe pa të’.
Dhe Vjosa Osmani nuk u ndëshkua për mendimin e lirë, por për veprime konkrete kundër partisë së saj.
Të jesh vashdimisht kundër partisë ‘tënde’ nuk është normale.
Të të lejohet të jesh kundër partisë tënde është ‘mrekulli’;
Por, mrekullitë nuk janë dhuratë njerëzore po hyjnore.
Si do të dukej një gazetar sikur të shkruante vazhdimisht kundër gazetës ku punon dhe kundër shefave të tij, dhe shefat t’ia lejonin që shkrimet kundër tyre t’i botonte në gazetën e tyre, plus ta paguanin për to.
Këtë ‘luks’ lirie kozmike, këtë luks gjigant nuk ta lejon askush, as familja jote, sepse nuk është normale, nuk është liri ‘normale’ kjo.
Normale është të jesh aty dhe me ata ku ndjen se përket, me ata që të duken të ngjajshëm, apo më mirë të jesh i vetmuar.
Bile s’ka ku shkon më mirë sesa me t’mjaftu’ vetvetja.
Ama, të jesh me çdo kusht dhe gjithmonë kundër partisë tënde (përveç kur partia të nominon për kryeministre), nuk është normale.
Ndëshkimi është jashtë ‘mode’, është veprim primitiv, sidomos kur përjashtohet një grua shqiptare, e cila edhe ashtu me zor të madh përparon në jetë.
Por mendjemadhësia, individualizmi dhe vetëbesimi ‘kushtojnë’ shtrenjtë.
Të çojnë në vetmi.
Vjosa Osmani deri sot nuk ka qenë ‘politikane’, por një rebele pa kauzë.
Sot, si e ndëshkuar, sigurisht e kupton se ‘martir të bën kauza e jo ndëshkimi’.
Nuk besoj se Vjosa Osmani me qëndrimet e saj kontra vendimeve të LDK-së ka dashur t’ia bëjë punën Isa Mustafës që ta përzë, në mënyrë që Isa Mustafa të duket ‘Djalli’, sepse Isa Mustafa nuk ka çfarë humb në politikë.
Tash Vjosa Osmani, nuk bën më të humb kohë duke e luftuar Isa Mustafën, sepse atë luftë e ka të humbur, edhe sikur ta fitonte.
– por duke e ndërtuar një të ardhme politike për veten dhe për gjeneratat e reja në Kosovë;
Jo duke u munduar ta ndryshojë Isa Mustafën, por duke e ndryshuar vetveten.
Se ‘hekurin e shkatërron veç ndryshku i vet’, e jo ardhmëria.
Sa herë bëhet fjalë për gjeste të ftohta kriminale, më kujtohet pyetja e Fromit për Hitlerin.
Nëse Isa Mustafa është Ujku, a janë Dele gjithë ata që shkuan sot pas tij për ta përzënë Vjosa Osmanin nga partia!
Si gjithmonë përgjigja në pyetjen e Fromit mbetet Jo, sepse delet nuk shkojnë pas ujkut.
P.S. Është një ditë e bukur për Vjosën kjo, anipse ditë me shi.
Nëse do të dinte, mund të bëhej një ‘Zhan D’ark’, që një ditë të shpallej ‘e shenjtë’ nga po ata që sot e përjashtuan dhe ia mbyllën dyert e LDK-së.
Ti mos u mërzit.
Të gjithë neve, çdo ditë na i mbyllin dyert, të gjitha dyert, derisa dorëzohemi e mbyllemi në shtëpi.
A mundesh me besu se unë nuk e shoh ‘asnjë derë të hapur’, dhe anipse krejt dyert i kam të mbyllura, edhe më hahet buka, edhe më merr gjumi natën edhe më lulojnë kastravecat…
-shpejt mësohesh me ‘dyert e mbyllura’ dhe e maron një derë tënden.
Sot, Isa Mustafa, si gjuetar i ‘shtrigave’ e ka bërë Kosovën të duket e frikshme, kanunore, primitive, hakmarrëse, pa të ardhme.
Por, hakmarrësi gjithmonë është një Antihero.
Të falësh është heroizëm.