Besnik Metalla nga fshati Manzë i Durrësit, me mbështetjen në formë granti të programit IPARD, ka vënë në punë traktorin e ri të specializuar, që e ka ndihmuar atë të modernizojë procesin e punimeve bujqësore, jo vetëm në tokën e tij, por duke i ardhur në ndihmë edhe fermerëve në 10 fshatrat e zonës nga Hamallaj deri në Gjirin e Lalëzit.Ekipi i ATSH-së e vizitoi nga afër fermën e tij dhe u njoh me impaktin e investimeve në mekanizimin e bujqësisë, falë asistencës së IPARD-it, që i ka dhënë një impuls të ri prodhimit, punësimit dhe rritjes së të ardhurave në familje.
Besniku tregon se, sot ka dyfishuar prodhimtarinë dhe sipërfaqen e kultivuar të tokës pasi ka investuar grantin e programit IPARD, në një traktor të ri që kryen të gjitha proceset që kërkon prodhimi në bujqësi.
“Hamallaj është një zonë bujqësore ku kryeson prodhimi i misrit, grurit dhe jonxhës, por unë kam mbi 20 vjet që kultivoj agrumet, portokalle, mandarina e limonë. Fillimisht kam mbjellë sipërfaqen e tokës time prej 6 dynymë dhe duke parë që ky aktivitet po ecte mbarë e kam zgjeruar prodhimin, duke marrë toka bujqësore me qira, tek fermerët e zonës”, thotë Besniku.
Sipas tij në dy parcelat me qira, njëra është mbjellë me agrume e tjetra me foragjere, ushqim për blegtori.
“Në fillimet e aktivitetit, prodhimi nga ferma e agrumeve shënonte rreth 100 kv/ha në vit, ndërsa sot falë mbështetjes nga IPARD, ku kemi aplikuar për të marrë mekanikë bujqësore dhe përfituam traktorin e ri të teknologjisë së lartë, prodhimi është katërfishuar, deri në 400-500 kv/ ha agrume në vit”- thotë ai.
Besniku na tregon se përmirësimi i mekanikës bujqësore ka ndikuar në rritjen e cilësisë dhe rendimenti të prodhimit, të cilin e ka tërësisht të shitur, përmes kontakteve paraprake me pikat e grumbullimit në Tiranë.
Por jo vetëm kaq, prodhimet e agrumeve nga ferma e tij, i shërbehen të freskëta direkt nga pema edhe turistëve dhe pushuesve të ndryshëm që frekuentojnë plazhin në zonën e Hamallasit.
Në fermë janë angazhuar dhe punojnë familjarisht, por gjatë sezonit të pikut të prodhimit Besniku, punëson edhe fermerë të tjerë të zonës.
Altini, djali i familjes, që ka mbaruar studimet e larta për mjek veteriner dhe së fundi është specializuar në Itali, është angazhur me punët në fermë që në moshën 13-vjeçare. Ai sot përdor traktorin e ri dhe makineritë e tjera bujqësore, jo vetëm në fermën e familjes së tij por punon edhe në fermat e fermerëve të tjerë të zonës, sipas kërkesave që ata kanë, për procese të ndryshme bujqësore, me impakt rritjen e produktivitetit.
Besniku shprehet optimist dhe shumë i kënaquar për mbështetjen që ka arritur të marrë nga IPARD përmes procedurave të lehtësuara dhe pa burokraci gjatë aplikimit në AZHBR. Ai i fton të gjithë fermerëve, të ndjekin shembullin e tij, të aplikojnë pranë AZHBR-së, në Programit IPARD, për të përfituar mbështetje financiare për projektet që ata dëshirojnë të arrijnë në bujqësi.
Nga aplikimi në AZHBR përmes programit IPARD, Besniku ka përfituar 60% financim të vlerës së traktorit që kushton 44 milionë lekë.
“Kam 10 dynym tokë bujqësore me qira, por tani që kam marrë traktorin e ri me mbështetjen e IPARD-it, synoj të shtojë aktivitetin me veprimtari të reja bujqësore, në toka të tjera me qira”- na thotë Besniku.
Ndërsa Altini vlerëson se, traktori i ri, jo vetëm ka lehtësuar shumë punën e krahut në fermë por ka ndikuar në rritjen e prodhimit, të rendimentit dhe ka ulur kostot.
“Me traktorin e ri, ne kursejmë kohë dhe kemi arritur të rrisim cilësinë e prodhimeve bio nga ferma jonë. Gjithashtu kryejmë të gjitha proceset që i nevojiten pemëve frutore, në rastin e fermës tonë agrumeve, që nga plugimet, kultivimi i tokës, tek spërkatja për insekticidet e deri në procesin e vjeljes që na ndihmon për transportin e produkteve nga parcela në pikat e grumbullimt. Pasi ne jemi lidhur me shumë pika grumbullimi duke siguruar shitje të garantuar të të gjithë prodhimit”- shprehet Altini.
Sipas tij, me traktorin e ri përveç se mbulojnë punën në të gjithë fermën e tyre, arrijnë të plotësojnë edhe nevojat e shumë fshatarëve të zonës, të cilët shprehin falenderime pasi edhe atyre u është përmirësuar puna dhe u është rritur prodhimi nga punimet me teknologji të përparuar.
“Me ardhjen e traktorit të ri përfitimi në fermën tonë ka qenë i dukshëm. Gjithashtu mbulojmë edhe 10 fshatra nga zona e Manzës deri në Gjirin e Lalëzit”- tha Altini.
Ndërsa Besniku duke konsideruar mekanikën faktor kyç në zhvillimin e bujqësisë na tregon se, biznesin si agromekanizator e nisi që 30 vite më parë.
“Në qendrën e mekanikës bujqësore që kam ngritur pranë fermës time, gjenden të gjitha lloje e agregatëve bujqësorë që ka edhe tregu i huaj sot, në Itali Gjermani etj. I kemi të gjitha këtu. Të gjithë punën time në tre dekada e kam investuar tek mekanika bujqësore në radhë të parë për të ndihmuar fermën time, por edhe fshatrat në të gjithë zonën përrreh”- thotë ai.
Ferma Metalla është shembulli i një prej qindra fermerëve në zona të ndryshme të Shqipërisë, që janë mbështetur nga Programi IPARD me grante, për të blerë teknologji e pajisje, si dhe për të realizuar investime të rëndësishme duke u shndërruar kështu në modele suksesi që mbështetin zhvillimin e qendueshëm të bujqësisë në Shqipëri.