Reperi MC Kresha është bërë baba për herë të parë. Kresha dhe bashkëshortja e tij Erzina janë bërë prindër të një vajze vetëm pak muaj nga kurorëzimi i martesës së tyre. Këtë lajm e ka bërë të ditur babai i Erzinës përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Mirë se erdhe në jetë Iza. Jeta yte qoftë e uruar nga ZOTI, veç me të mira, por edhe stuhitë e jetës kurrë mos të lakofshin.”- ishin fjalët e vjehrrit të këngëtarit duke konfirmuar edhe njëherë emrin e vajzës Iza, siç ishte përfolur edhe më parë. Ky emër, ka kuptimin “Zoti është i përsosur” ose “Zoti është betimi im”.
Kujtojmë se MC Kresha dhe Erzina i dhanë fund beqarisë pa shumë zhurmë në muajin dhjetor në një ceremoni me familjarë dhe të ftuar VIP. Ndërkohë më herët reperi ka treguar se ka ndërmend që të largohet nga muzika dhe t’i përkushtohet plotësisht familjes së tij.
“Pak nga pak po ik nga muzika. Realisht më herët kamë bërë 1 album në vit, ndërsa tani një album në dy vite. Kjo është një farë lloj ikjeje. Por nuk mund të shkëputem menjëherë. Unë mensoj se si sporti edhe arti e kanë ciklin e vet dhe më pas duhet t’u lësh vendin të rinjve”, është shprehur Mc Kresha. Izës i urojmë jetë të gjatë dhe shpresojmë që babai i saj, mos t’i ketë seriozisht fjalët për lënien e karrierës!