Organizata Botërore e Shëndetësisë tha sot se do të “lexojë me kujdes” studimin kinez për gripin e ri të derrit të zbuluar, për të cilin studiuesit thanë se ka potencialin të shkaktojë një tjetër pandemi. Një zëdhënës i OBSH tha se shfaqja e këtij virusi, i pikasur në derrat e thertoreve në Kinë, tregon se duhet të mbetemi vigjilentë ndaj sëmundjeve të reja edhe gjatë vazhdimit të betejës kundër Covid-19.

Studimi i publikuar nga Akademia Shkencore e Kinës thotë se gripi i derrit me mutacionin e genit G4, ka “të gjitha parametrat për të krijuar një pandemi virusi”. Megjithse studiuesit thanë se nuk ka kërcënim për momentin, biologët kinezë kanë sugjeruar nisjen e fushatës së monitorimit të popullatave njerëzore, veçanërisht të punonjësve të industrisë.

“Ne do të lexojmë me kujdes raportin për të kuptuar atë që është e re,” tha përfaqësuesi i OBSH, Christian Lindmeier në një konferencë shtypi në Gjenevë. “Kjo sugjeron se ne nuk mund të ulim vigjilencën për gripin edhe gjatë pandemisë së koronavirusit”, shtoi ai.