Akti i paprecedentë i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, në shkurt-mars të vitit 2019, ku dorëzuan mandatet e përfaqësimit në Kuvend, ka bërë që Këshilli Politik të ndryshojë nenin 164 të Kodit Zgjedhor, për mënyrën e plotësimit të vakancave në Parlament. Duke parashikuar mundësinë e përsëritjes së skenarit të djegies së mandateve pas zgjedhjeve parlamentare të 2021, përfaqësuesit e PS, PD, LSI dhe opozitës së re në Këshillin Politik, kanë vendosur në draftin për reformën zgjedhore, që në rastet kur shteron lista e kandidatëve të një partie politike, vakancat e mbetura të mos plotësohen deri në përfundim të mandatit të Kuvendit.
Neni 164 të Kodit Zgjedhor parashikonte që “në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”. Drafti për ndryshimin e ligjit zgjedhor e ka hequr këtë fjali. Në draft është shkruar se “me shterimin e listës, vakancat që krijohen nuk plotësohet, deri në përfundim të mandatit të Kuvendit”. Me këtë ndryshim PD-LSI pranojnë se Kuvendi është legjitim edhe nëse nuk ka 140 deputetë. PD-LSI rrëzoi në këtë mënyrë pretendimin e tyre dhe sidomos të Presidentit Ilir Meta, që Kuvendi nuk është legjitim nëse nuk ka 140 deputetë. Ky ishte një nga argumentet e opozitës pro tezës që Meta duhet të shpërndante Parlamentin.Ndërkaq, drafti për reformën zgjedhor, nuk ndryshon parashikimin sipas të cilit “nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati”. Mandati ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Por, Kushtetuta, në shkronjën (b) të pikës 2 të nenit 71, parashikon të drejtën e deputetit për të hequr dorë individualisht nga mandati.
Neni 164 është
Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës 1. Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.
2. Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar.
3. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.
4. Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë.
Neni 164 bëhet 1. Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij ligji, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.
2. Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës zvogëlon kuotën gjinore, të përcaktuar sipas nenit 163/1 të këtij ligji. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Në rast se emrat e gjinisë përkatëse kanë shterruar, atëherë mandati nuk i kalon asnjë kandidati dhe vakanca e krijuar nuk plotësohet, deri në përfundim të mandatit të Kuvendit ose, sipas rastit, të këshillit të bashkisë.
3. KQZ-ja merr vendim për plotësimin e vakancës në Kuvend. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 2 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike. Me shterimin e listës, vakancat që krijohen nuk plotësohet, deri në përfundim të mandatit të Kuvendit.
4. KQZ-ja merr vendim për plotësimin e vakancës në këshillin e bashkisë. Vendimi i njoftohet kandidatit. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në këshill brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 2 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike. Me shterimin e listës, vakancat që krijohen nuk plotësohet, deri në përfundim të mandatit të këshillit.
Neni 71 i Kushtetutës, mbarimi i mandatit 1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;b) kur heq dorë nga mandati;c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.