Nga Artur Ajazi/
Të mos njohësh mirë ekonominë, të mos njohësh mirë sektorin e financës, bujqësisë, apo dhe drejtësisë, dhe tu premtosh shqiptarëve “ulje të taksave, rritje rrogash dhe pensionesh, miliona euro për bizneset”, do të thotë tu premtosh atyre ti çosh në planetin Mars. Realisht kryetari i ish-opozitës së vjetëruar, ka mbi 30 ditë që po premton, po përbetohet dhe strapacohet , duke tentuar tu mbushë mëndjen fermerëve, tregëtarëve, këpucarëve, dyqanxhinjve dhe klasës së biznesit të mesëm dhe të madh, se “sapo PD të vijë në pushtet, qysh ditën e parë, gjithçka do të ndryshojë”. Duket se zoti Basha ka gjetur “shkopin magjik” dhe do të ndryshojë jetën e shqiptarëve, “sa hap e mbyll sytë”. Në rast se kjo quhet fushatë elektorale, hajde ta besojmë, por në rast se kjo quhet “iniciativë eksperimentale e kryetarit Basha” hajde ta diskutojmë.
Mendoj se këshilltarët e tij janë sa mediokërr, aq edhe qesharakë, sa të paaftë aq edhe fodullë, pasi e kanë futur në qorrsokak shefin e tyre, duke i besuar atij gjithçka, nga parafushata elektorale, deri tek “zbërthimi” i pikave të programit të (vjetër) ri. Tu premtosh shqiptarëve “taksën e sheshtë 9 per qind, rritje rrogash, pensionesh dhe miliona biznesit dhe fermerëve”, kur nuk je në korent të asgjëje që ka ndodhur dhe po ndodh me ekonominë dhe financat , është më tepër se budallallëk apo gafë e pastër politike. Me parafushatën dhe programin e 2017, zoti Basha po kërkon të kthejë edhe njëherë vendin atje ku ishte, në një kohë që qeveria Rama ka përpara një rrugë tjetër progresiste, e cila ecën paralelisht me ato të ekonomive të vendeve të tjera europiane, anëtare të BE.
Por Lulzim Basha nuk dëgjon dhe nuk ndryshon, ai e ka vendosur, do ti çojë shqiptarët “në Mars” me programin e ri ekonomik. Kryetari i ish-opozitës premton “ndryshimin e madh, ndëshkimin e madh dhe ekonominë e madhe”, dhe këtë po e premton para fermerëve, para bizneseve, me anë të postimeve në fb dhe mediat e “parapëlqyera prej tij”. Duke mbajtur në dorë “planin ekonomik” dhe duke premtuar “taksën e sheshtë prej 9 per qind”, zoti Basha ka marrë garanci nga këshilltarët e tij, se kjo është e vetmja mënyrë dhe i vetmi “flamur që do të na çojë drejt fitores në 2021”.
Ekonomia dhe vetëm ekonomia, mbetet sipas Lulzimit, “thembra e Akilit në Shqipërinë e varfëruar nga qeverisja aktuale”. Sikur të mos kishte ndryshuar ky vend kaq shumë, sikur të mos ishin bërë miliarda euro investime në qytete dhe fshatra të vendit, sikur të mos ishin mbaruar rrugët dhe autostradat që lidhin veriun me jugun, lindjen dhe perëndimin e vendit dhe ato që janë në proces përfundimi, sikur të mos ishin rritur importet dhe eksportet e mallrave, apo dhe sikur të mos kishin ardhur këtu firma dhe kompani të huaja për të investuar, vërtetë do ta kishim besuar zotin Basha, dhe planin e tij “ekonomik”.
Por nuk do të kisha besuar se Partia Demokratike e ka seriozisht zbatimin apo dhe premtimin e tij. Kjo për faktin se, në afro 20 vjet të qeverisjes saj, i vetmi sektor që ka ecur kuturru, dhe është dëmtuar me dashje nga keqmenaxhimi dhe keqzbatimi i ligjeve, ka qenë pikërish ekonomia. Amullia, mungesa e efektivitetit, paaftësia dhe mbi të gjitha, korrupsioni si “leva” kryesore e degradimit të ekonomisë dhe financave, kanë qenë dhe mbetet disa prej shkaqeve, ku ka dështuar vazhdimisht qeverisja e PD. Atëhere, si mund ti besosh Lulzimit dhe planit të tij “ekonomik” me datë të ndryshuar, si mund të bindesh nga premtimet e tij, kur gjithçka thuhet atje, është si në përralla, dhe duket sikur të thotë “hajde më votoni mua, se do t’ju çoj në Mars”. Zbrit me këmbë në tokë zoti kryetar…..është viti 2020.