Që nga viti 2016, një bashkësi globale e kontrolluesve të fakteve ka marrë formë, për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformimin në internet, shumica e të cilave gjenerohen nga regjimet autoritare. Tani që jemi në kthetrat e një pandemie vdekjeprurëse, këto përpjekje duhet të mbështeten dhe forcohen

Nga Philip N. Howard

OXFORD – A do të besonit se koronavirusi është zhvilluar nga një qeveri për të dobësuar rivalët e saj të huaj? Apo që “patriotët” e krijuan atë për të nxitur një revolucion kundër “qeverisë së madhe” dhe “shtetit të thellë”? Mjerisht, shumë njerëz që kanë hasur në një dezinformim të tillë në internet, e kanë ndarë atë me miqtë dhe familjen e tyre.

Sidoqoftë, ne po mësojmë më shumë se kush prodhon lajme të rreme pandemike dhe si të ndalojë qarkullimin e tij. Përveç punonjësve të kujdesit shëndetësor që rrezikojnë jetën e tyre dhe shkencëtarëve që punojnë me trajtime dhe për gjetjen e një vaksine, një tjetër degë e reagimit ndaj COVID-19 meriton gjithashtu njohje. Gjatë viteve të fundit, kontrollorët e fakteve në botë kanë zhvilluar një aftësi për të zbuluar dhe etiketuar gënjeshtrat që qarkullojnë në sferën publike. Tani, ata e kanë zhvendosur vëmendjen e tyre drejt lajmeve të rreme për krizën COVID-19, duke ndihmuar platformat e mediave sociale të lëvizin më shpejt për të ndalur dhe dekurajuar thashethemet, dezinformatat dhe teoritë e komplotit.

Në Institutin e Internetit të Oksfordit, ne jemi duke ndjekur vërshimin në shkallë të gjerë, me shumë platforma, të dezinformatave mbi COVID-19 të prodhuara nga regjimet autoritare. Gazeta të mbështetura nga shteti në Kinë, Iran, Rusi dhe Turqi kanë një audiencë të konsiderueshme globale, dhe teorikisht mund të arrijnë në një miliard llogari mediash sociale, me përmbajtje në gjuhën angleze. Megjithëse disa nga këto llogari janë false, përmbajtja po ndahet nëpër rrjete me dhjetëra milion përdorues realë.

Portalet e dezinformimit priren të prodhojnë më pak përmbajtje sesa mediat e pavarura, profesionale, por ato mund të tërheqin dhjetë herë më shumë angazhim efektiv online, me materialin që botojnë. Në dallim nga botuesit më të përgjegjshëm, ata politizojnë vazhdimisht lajmet për shëndetin dhe informacionin, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë nga frika dhe zhgënjimi ekzistues tek njerëzit. Duke kritikuar demokracitë si të korruptuara dhe të paafta, duke vlerësuar lidershipin global të udhëheqësve autoritarë, dhe duke promovuar teoritë e konspiracionit në lidhje me origjinën e koronavirusit dhe motivet e agjencive ndërkombëtare të shëndetit, ata janë duke u përpjekur që të formësojnë – ose të paktën të turbullojnë – sa të munden narrativën globale mbi pandeminë.

Sigurisht, narrativa njësoj shpërqëndruese burojnë edhe nga demokracitë e botës. Në Shtetet e Bashkuara, administrata Trump ka theksuar faktin se virusi e ka origjinën në Wuhan, Kinë – një pikë që është kryesisht e parëndësishme për të gjetur një kurë, ose për të organizuar një reagim të shëndetit publik. Arsyeja e vetme për t’u fiksuar tek lidhja me Wuhanin, është politizimi i krizës ose promovimi i stereotipeve në lidhje me etninë kineze.

Ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është se ne tani e dimë se nga vjen dezinformimi. Duke analizuar një mostër të madhe të gënjeshtrave mbi COVID-19 të lidhura me shëndetin, zbuluam se një në pesë e kanë burimin në politikanë, njerëz të famshëm dhe figura të spikatura publike, dhe se një pjesë e madhe e dezinformatave po shtyhen nga agjensitë e mediave të kontrolluara nga qeveritë autoritare.

Project Syndicate – Bota.al