Dalin rezultatet e provimit të Gjuhë Letërsisë, ndërsa mësohet se me notën 10-të të janë vlerësuar vetëm 2.45% ose 760 maturantë, ndërsa 3.11% janë mbetësa. Provimi i Letërsisë ishte ai që nxiti edhe protestën disa-ditore të nxënësve, që kërkuan që të përjashtoheshin nga vlerësimi pyetjet që u cilësuan si absurde.

Kjo kërkesë u pranua edhe nga Ministria e Arsimit, e cila premtoi se do të merrte në konsideratë heqjen nga vlerësimi përfundimtar të ndonjë pyetjeje specifike që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve. Duket se një vendim i tillë nuk është parë pasi, një burim nga Qendra e Shërbimit Arsimor tha për “Report TV”: “Nuk është hequr asnjë pyetje. Ajo ka funksionuar shumë mirë dhe në përputhje me nivelin e vështirësisë që ka pasur”. Pyetja se ‘çfarë bëri Turi’ dhe për simbolikën e përdorur nga Lasgush Poradeci u kontestuan nga maturantët, ndërsa testi mori kritika të shumta edhe nga pedagogët.