Ministrja e infrastukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku reagon pas rradhëve kilometrike në aksin Vlorë-Llogara gjatë ditës së sotme.
Mijëra automjete, kryesisht me pushues që zgjodhën jugun e vendit për të kaluar pushimet gjatë fundjavës u bllokuan për më shumë se pesë orë në këtë aks për shkak të trafikut të rënduar.
Balluku thotë se për këtë arsye qeveria po punon që të përfundojë brenda afatit Bypass-in e Vlorës por edhe tunelin e Llogarasë.
“Ata që u kthyen sot nga jugu, kanë shpenzuar kohë në trafikun e rënduar. Edhe për këtë arsye po punojmë për të përfunduar në afat Bypass e Vlorës dhe për të ndërtuar sa më parë Tunelin e Llogarasë. Gjerdani infrastrukturor i Jugut po plotësohet dhe do të jetë në shërbimin tuaj,” shkruan Balluku në rrjetet sociale.
Pak ditë më parë, ministrja Balluku lancoi garën ndërkombëtare për projektin e tunelit të Llogarasë, ndërsa javën që sapo u mbyll inspektoi nisjen e asfaltimit të kilometrave të parë të bypass-it të Vlorës.