Dhjetëra mijëra persona protestuan në shumë qytete të Shteteve të Bashkuara, teksa protestat kundër brutalitetit të policisë dhe pabarazisë racore hynë në ditën e 12-të. Në Uashington u mbajt protesta më e madhe që prej 25 majit, kur vdiq afrikano-amerikani George Floyd.

Floyd vdiq gjatë arrestimit nga policia në Mineapolis të Minesotës. Njerëzit vërshuan rrugët duke mbajtur slogane të ndryshme në duar dhe duke mbajtur fjalime. Makinat ushtarake, policia dhe agjentët federalë mbyllën shumicën e rrugëve kryesore në Uashington për trafik, para se të nisnin marshimet. Shumë protestues u mblodhën në National Mall, në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, ku punëtorët kanë ngritur rrethoja dhe barrikada betoni. Protesta masive po ashtu janë mbajtur në Qytetin e Nju Jorkut, Filadelfia, Siatëll, Çikago dhe Los Anxhelos, ku protestuesit kërkuan ndryshime.Protesta më të vogla janë mbajtur edhe në qytete të tjera, në komunitetet rurale dhe nëpër periferi. Këto protesta janë më të mëdhatë që janë organizuar gjatë presidencës së Donald Trump dhe vijnë në kohën kur administrata e tij po përballet me rritjen e numrit të viktimave nga koronavirusi dhe dëmet e shkaktuara në ekonomi për shkak të mbylljes së bizneseve, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të virusit. Floyd vdiq pasi u arrestua nga policia në Mineapolis. Ai ishte arrestuar nën dyshimin se kishte tentuar të përdorte një kartëmonedhë prej 20 dollarësh, e cila dyshohej se ishte e falsifikuar. Një video e bërë nga një kalimtar rasti, shfaq se si një polic i bardh, i bën presion me gju në qafën e Floyd për nëntë minuta.

Më pas Floyd kishte vdekur në spital. Polici që shihet teksa i bën presion Floyd dhe tre zyrtarë të tjerë që ishin të përfshirë në arrestimin e tij, janë përjashtuar nga puna dhe tani po përballen me akuza për vrasje dhe akuza të ngjashme. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump tha se autoritetet duhet “të dominojnë rrugët” që të parandalojnë trazirat dhe zjarrvëniet. Trump po ashtu u shpreh kundër taktikave të ashpra të përdorura nga policia, siç ndodhi edhe në rastin e Floyd.

“Drejtësia e barabartë para ligjit duhet të nënkuptojë që çdo amerikanë duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë kur përballet me forcat e rendit, pavarësisht racës, ngjyrës, gjinisë apo fesë”, ka deklaruar Trump.Në disa qytete në mbarë botën, qytetarët kanë protestuar duke kërkuar drejtësi për vdekjen e George Floyd. Protesta janë mbajtur në Berlin, Paris, Londër dhe qytete të tjera, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun e shëndetit, për shkak të koronavirusit.Në Londër ka pasur përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë në afërsi të zyrës së kryeministrit Boris Johnson, dhe përleshje të ngjashme janë raportuar edhe në qytetin gjerman të Hamburgut. Në Berlin, autoritetet kanë njoftuar se kanë arrestuar pothuajse 100 persona, pasi një protestë paqësore, u shndërrua në dhunë, ku protestuesit u konfrontuan me policinë. Në Australi, mijëra protestues nuk respektuan thirrjet e qeverisë që të mos mbajnë protestë në kohën e koronavirusit.