Dy administratorë të një subjekti janë arrestuar nga policia pas kontrolleve të shtuara në vijën bregdetare të Durrësit.Në pranga kanë përfunduar shtetasit: F. N., 51 vjeç dhe K. N., 56 vjeç, banues në Shijak, Durrës (administratorë të një subjekti), pasi kanë kundërshtuar punonjësin e Policisë.
Njoftimi:
Vijon operacioni kundër zaptimit të pronës publike në kundërshtim me Aktin Normativ për situatën e krijuar nga COVID-19.
Kontrolle të shtuara në zonën bregdetare nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Policinë bashkiake.
Arrestohen 2 administratorë të një subjekti, pasi kundërshtuan punonjësin e Policisë, si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër, për pushtim toke.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të kontrolleve për lirimin e plazheve nga shezlogët e vendosura pa leje dhe në kundërshtim me Aktin Normativ për situatën e krijuar nga COVID-19, konstatuan 2 subjekte që kishin zaptuar hapësirën publike (plazh), duke vendosur çadra dhe shezlongë pa lejen e autoriteteve përkatëse.
Gjatë veprimeve të kryera nga punonjësit e Policisë u arrestuan në flagrancë shtetasit: F. N., 51 vjeç dhe K. N., 56 vjeç, banues në Shijak, Durrës (administratorë të një subjekti), pasi kanë kundërshtuar punonjësin e Policisë.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. M., 32 vjeç, pasi u konstatua se përpara subjektit të tij kishte vendosur çadra dhe shezlongë pa lejen e autoriteteve përkatëse.
Nga Policia bashkiake për të dy subjektet u vendos masë administrative.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Pushtimi i tokës”.