Kjo e diel ka vënë sërish përballë udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët dy ditët e kaluara dështuan të binin dakord rreth paketës prej afro 1 trilion euro për rimëkëmbjen nga pandemia. Presidenti Charles Michel shprehu besimin se 27 shtetet anëtare do të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për të lënë mënjanë ndasitë e shfaqura ditët e fundit. Austria, Danimarka, Holanda dhe Suedia kanë shfaqur tendenca “kursimtare”.
Shtetet e tjera më të varfra evropiane nuk duan shkurtime fondesh apo dhe kushte shtesë për paketën e rimëkëmbjes. Presidenti Macron tha se Franca dhe Gjermania qëndrojnë së bashku për një plan të pashembullt të rimëkëmbjes. Merkel u tha gazetarëve se ka shumë vullnet të mirë, por ka edhe shumë qëndrime të ndryshme. Kryeministri italian Guiseppe Conte dhe ai bullgar Borissov e përshkruan “përplasjen” me homologun holandez Mark Rutte si “shumë të vështirë”. Kryeministri bullgar Boyko Borissov ka akuzuar Kryeministrin holandez Mark Rutte se dëshiron të jetë “polici i Evropës”.
Fondi i rimëkëmbjes, i cili fillimisht kishte llogaritur 500 miliardë euro për t’u shpërndarë si grante, u zvogëlua në 450 miliardë €. Hungaria ka kërcënuar se do të vendosë veton ndaj paketës së rimëkëmbjes nëse ekzistojnë kushte që lidhen me qasjen në fonde për respektimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Për vendet më të goditura nga ndikimi ekonomik i koronavirusit, kryesisht rreth Mesdheut, nuk ka kohë për të humbur në sigurimin e një pakete për të mbështetur ekonomitë e eurozonës.