Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici i bën thirrje të gjithë kuksianëve që banojnë jo vetëm në Kukës, por dhe në zona të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, t’u bashkohen aktiviteteve të organizuar nga bashkia me rastin e shpalljes së ditës së sezonit turistik të bjeshkëve.Gjici ka vizituar nga afër bjeshkët e Bushtrisë, që tani përshkohet më shpejt fal investimit që ka bërë bashkia Kukës për përmirësimin e rrugës.
Në një prononcim për mediet, Gjici tha se “bjeshkët e Bushtricës janë nga më të bukura, pasi ka përballë edhe malin e Korabit, ndërsa kjo rrugë i ofron turistë vendas dhe të huaj me malin. Ne do të bëjmë një aktivitet me 11 korrik që do të shpallim këtë datë si dita e turizmit të bjeshkës, prandaj i ftoj të gjithë të vizitojnë këtë vend pasi kanë çfarë të shohin. Është një bjeshkë fantastike dhe ua rekomandojmë të gjithë adhuruesve të bjeshkëve pasi i afrohen Korabit më shumë se kurrë”.
“Jo vetëm kaq, por do të provojnë dhe shijojnë të gjitha prodhimet bio që kanë këto zona. Edhe pjesa e Dibrës e ka më afër për të vizituar Korabin. Prandaj ju bëj thirrje turistëve të vijnë të vizitojnë bjeshkët, pasi rruga i ofron më malin dhe bukuritë natyrore. Jo vetëm, në këtë aks, por dhe në akse të tjera të bjeshkëve të Gjallicës apo dhe në bjeshkët e Çajës ku do të përmirësojmë infrastrukturën, pasi deri më sot nuk ka qenë vizituar sa duhet nga turistët”, tha ai.Gjici tha se për promovimin e turizmit do të fusim në hartën digjitale gjithë territorin e bashkisë Kukësit, pasi kjo trevë ka resurse të mëdha turistike, prandaj do përgatisim hartë digjitale turistike dhe çdo turitë të ketë informacion për turizmin në Kukës.