Ministria e Financave dhe Ekonomisë planifikon një financim prej 600 milionë lekësh për studim-projektimin e tunelit të Llogorasë. Qeveria hapi në mesin e muajit qershor garën për projektin inxhinierik për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, i cili do të ndërtohet me fondet e buxhetit të shtetit.

Shuma e planifikuar në rishikimin që MFE ka kryer në buxhetin e vitit 2020 parashikon hartimin e studimit dhe projektimit të tunelit të Llogorasë, ndërtimi i të cilit do të krijojë një lidhje shumë të shpejtë me Rivierën shqiptare por do ta kthejë edhe vet Parkun Kombëtar të Llogorasë në një destinacion më vete, jo thjesht në një rrugë kalimi të gjithë trafikut të sezonit turistik.

Tuneli do të jetë i gjatë 6 km dhe nis pas Urës së Shën Elizës deri në Palasë. Ndërtimi i tij synon një akses për të gjithë për të përshkruar rrugën e Llogorasë nga Dukati deri në Palasë që aktualisht nevojiten 55 minuta në vetëm 7-10 minuta. Sipas llogaritjeve tuneli prej 6 km me një shpejtësi të lejuar 50-80 km në orë do të përshkrohet për 7-10 minuta. Ky investim do të jetë efiçent për sa i përket kohës, kostos së karburantit dhe përdorimit të automjeteve dhe mbi të gjitha ka elementin e sigurisë rrugore.

Impakti që ky tunel do të ketë në ekonominë e zonës dhe atë shqiptare i përkthyer në shifra arrin 550 deri 650 milionë euro, ndikim ky direkt dhe indirekt. Punësimi që kjo vepër do të nxisë arrin në 11 600 persona.Parashikohet që gara për ndërtimin të hapet në 29 dhjetor të këtij viti, ndërsa punimet të nisin në pranverën e vitit 2021.

Në vitin e parë të operimit të këtij tuneli parashikohet një fluks lëvizjeje nga 3 mijë që është aktualisht në 6 mijë, ndërsa në vitin e tretë parashikohet që fluksi i lëvizjes të shkojë në 10 mijë automjete. Tuneli, do të operohet me tarifë e cila do të jetë minimale dhe do të shkojë për mbulimin e kostos së ndërtimit dhe mirëmbajtjen.