Duke parë numrin e lartë të golave, ishte vërtet shumë e vështirë të mendoje Çiro Imobile jashtë garës sezonale për Këpucën e Artë dhe bomberi i Lacios, pasi u kalua nga Robert Levandovski, arriti të rifitojë kuotat duke iu bashkuar polakut në krye.
Trofeu individual për numrin e rrjetave të shënuara ka hyrë në një fazë kulmore, e tani lojtari i Bajernit ka kërcënimin serioz nga serie A.
Imobile ka barazuar Robert Levandovski por ky i fundit nuk ka më shanse për të shënuar pasi Bundesliga ka ezauruar të gjitha ndeshjet. Në kontrast me kampionatin gjerman, Serie A ofron 180 minuta të tjera që sulmuesi i Lacios në kuotën 34 gola, të provojë të distancohet nga rivali, dhe për këtë mund të shërbejë ndeshja në Oli’mpiko ndaj Breshias dhe më pas transferta ndaj Napolit në stadiumin San Paolo.
Italiani i fundit që ka fituar Këpucën e Artë është Françesko Toti në 2007. I vetmi kërcënim që mund të prishë festën e pritshme të Imobile, është portugezi Kristiano Ronaldo. Futbollisti që inspiroi Juventusin drejt rikonfirmimit në fron është në kuotën 31 gola, dhe ka në dispozicion sfidat ndaj Kaljarit dhe Romës, për të provuar të kalojë si Imobile, ashtu dhe polakun Levandovski të Bajernit.