Aeroporti i Kukësit, me një kapacitet deri 500 000 pasagjerë në vit pritet të regjistrojë fluturimet e para vitin e ardhshëm, do të jetë një gjenerator zhvillimi për qytetin e Kukësit, veçanërisht për zonën Shtiqenin, ku ai ka vendndodhjen e tij.Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, vuri në dukje se Bashkia e Kukësit ka gati master-planin për investimin në zonë e Shtiqenit, për një infrastrukturë moderne, që do i shkoj përshtat aeroportit të ri i cili do të nxisë investime të shumta dhe punësim.“Është e vërtet që aeroporti i Kukësit është një zhvillim jo vetëm për Kukësin, por për të gjithë qarkun e Kukësit dhe një pjesë të mirë të Kosovës. Kukësi përfiton shumë nga ndërtimi i këtij aeroporti”,- tha kryebashkiaku Kukësit.“Përfiton në aspektin e lëvizjes, përfiton në aspektin makro, pasi gjenerohen vende të reja pune, pasi do hapen biznese të reja dhe pritet, sipas parashikimeve, të punësohen rreth 1 500 punonjës”,- theksoi Gjici për ATSH.
Ai tha se po studiohet një masterplan për zhvillimin e zonës së Shtiqenit.“Po ashtu do të rigjenerohet pjesa e Shtiqenit, në aspektin ndërtues, do kemi një fluks të madh ndërtimesh. Po bëjmë një plan studimi, masterplan vetëm për njësinë ku është aeroportit në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku do parashikohet edhe hyrja e dalja në aeroport, si dhe zonat e tjera që do të jenë zona ndërtimore siç janë të gjitha zonat ndërtimore afër aeroporteve në vendet të BE. Si sot një vitit pritet që në aeroport të nis lëvizja, do nis puna dhe Kukësi do ketë një zhvillim të shpejtë ekonomik. Një pasagjerë mesatarisht shpenzon 30 euro në ditë në vendin ku ulet dhe kjo do nxis një zhvillim të shpejtë ekonomik”,- tha Kryebashkiaku Gjici për ATSH.
Qytetarët: Ndërtimi aeroportit rrit punësimin dhe ekonominë e qytetit.Qytetarët shprehen entuziast për ndërtimin e këtij aeroporti, pasi sipas tyre do të jetë një mundësi e mirë për punësimin e tyre si dhe për ekonominë e qytetit në tërësi.“Është një iniciativë shumë e mirë e qeverisë. Është vlerë e shtuar për qytetin tonë. Do t’i shërbej turizmit në radhët të parë, duke sjell turistë nga e gjithë bota pasi dhe çmimet e biletave do të jenë më të lira. Një e mirë shumë e madhe për qytetarët, pasi do ketë punësim priten rreth 1000-1500 të punësuar”,- u shpreh një qytetar.“Kudo ku ka aeroport ka zhvillim, nënkupton që ka lëvizje dhe ndikim ekonomik në të gjithë zonën. Është një e mirë për gjithë qytetin, pasi në radhë të parë do hapi vende të reja pune, ku urojmë të jenë në shumicë banor të zonës. E dyta, siguron lehtësira për shërbimet ndihmëse që shkojnë drejt për drejt në arkat e bizneseve”,- thotë një tjetër kuksian.“Në radhë të parë ndikon në punësim. Edhe për njerëzit që kemi jashtë vijnë menjëherë në Kukës, ashtu si edhe turizmi”, thotë një tjetër qytetar.“Ishalla mbyllet sa më shpejtë investimi, që të shpëtojmë ne, të shpëtojë i gjithë populli i zonës së Veriut dhe Kosovarët”,- u shpreh një zotëri tjetër.“I rëndësishëm për ekonominë dhe bizneset e qytetit, ku janë bërë që tani hotelet dhe lokalet që do presin turistët dhe gjithashtu ai aeroport do jetë dhe në funksion të mikpritjes së famshme kuksiane”,- tha një zotëri tjetër.
Prefekti Kuçana: Aeroporti i Kukësit, nyje zhvillimi për veriun e vendit.Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana, u shpreh për ATSH se investimet nuk janë ndalur dhe aeroporti i Kukësit është një gjenerator zhvillimi për rajonin.“Investimet kanë vijuar normalisht. Do të jap një zhvillim shumë të madh në të gjithë rajonin e veriut. Edhe një pjesë e Kosovës do përfitojë nga ky aeroport, pasi një pjesë e Kosovës është e mbuluar nga mjegulla dhe të gjithë do shfrytëzojnë këtë aeroport, i cili do të rrisë numrin e bizneseve, të punësuarit dhe qarkullimin në tërësi të qytetarëve”, shprehet ai..
Aeroporti i Kukësit është aeroporti i dytë civil në Shqipëri. Pozicioni mes Tiranës dhe Prishtinës me një infrastrukturë të mirë rrugore nga të dy anët e kufirit, shkurton shumë kohën e lidhjes me dy kryeqytetet shqiptare për pasagjerët e mundshëm. Përmes këtij aeroporti do mund të fluturojnë deri në 500 mijë udhëtarë në vit me çmime Low Cost.
“Ka nisur ndërtimi i terminalit të ri që është rreth 3 000 metra katror, me një kapacitet prej 500 000 udhëtarësh në vit, ndërsa është shembur terminali i vjetër që ishte rreth 630 metra katror. Ka filluar gërmimi në pjesën jugore të pistës, e cila do të zgjatet 300 metra. Aktualisht pista është 1 800 metra dhe do zgjatet do bëhet 2 100 metra, duke rritur nivelin e aeroportit duke e përshtatur me kërkesat për pranimin e avionëve Low Cost. Po ashtu ka nisur sistemimi i gjithë territorit brenda Aeroportit. Në funksion të master-planit, po hartohen dhe plani për zyrat e punës dhe të gjitha këto në funksion pikërisht të qëllimit për të pranuar avion Low Cost. Gjithashtu në master plan kemi parashikuar lënien e hapësirave për zgjerimin e terminalit deri në një kapacitet prej 1 milion udhëtarësh në vit”,- tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare një nga inxhinierët i cili ndjek punimet në aeroport.