Presidenti francez Emmanuel Macron tha se dorëheqja e qeverisë ishte e nevojshme për të hapur një “rrugë të re” për presidencën e tij. Nëpunësi i lartë publik Jean Castex është kryeministri i ri i Francës. Presidenti francez Emmanuel Macron të premten emëroi Jean Castex si kryeministër të Francës, në vend të Eduoard Philippe. Castex është një nëpunës i lartë publik, që ka mbajtur disa poste në qeveritë lokale, rajonale dhe kombëtare. Në prill, ai u ngarkua me administrimin e lehtësimit të masave bllokuese të pandemisë së virusit Corona. Kryeministri i deritashëm, Edouard Philippe dha sot dorëheqjen së bashku me pjesën tjetër të qeverisë franceze.
Kjo masë hap rrugën për një riorganizim të qeverisë. Ky hap pritej gjerësisht, pasi Presidenti francez Emmanuel Macron kërkon të rrisë besushmërinë e tij përballë votuesve të zhgënjyer. Synimi i Macronit është t’u japë një orientim të ri dy viteve të tij të fundit në detyrë.
Pjesa tjetër e qeverisë pritet të emërohet deri të mërkurën. Të dielën, partia centriste e Macron-it, En Marche u godit rëndë në zgjedhjet komunale në të gjithë vendin. Megjithëse Macroni gëzon popullaritet në Evropë, imazhi i tij brenda vendit është dëmtuar nga një seri pengesash, përfshirë protestat e jelekverdhëve dhe reformat e punës.
‘Rruga e re’ e Macron-it Zyra e Presidentit francez tha që Macroni dhe Philippe kishin rënë dakord se nevojitej një qeveri e re për të hapur një “rrugë të re” për të ecur përpara. “Do të më duhet të zgjedh për ta udhëhequr [Francën] në atë rrugë,” tha Macroni. Ai vlerësoi “punën e jashtëzakonshme” të Philippe gjatë qeverisjes. Në prill, Macron tha se dëshironte të “rizbulonte” veten për t’u përballur me sfidat e fundit me të cilat ndeshet republika franceze. Por administrimi i rezultateve të pandemisë së virusit Corona ka gjasa që të zërë vend qendror në pjesën tjetër të mandatit të tij presidencial.
Macroni dhe kancelarja gjermane Angela Merkel po mbrojnë një program evropian për të rindërtuar vendet e BE të goditura nga virusi Corona. Sidoqoftë, këto përpjekje kanë hasur në rezistencë midis vendeve anëtare të BE, që druhen nga borxhet si pjesë e fondit të rindërtimit./DW/