34 persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës në një aksion kundër lojërave të paligjshme të fatit dhe skemave piramidale.

Aksioni është përqendruar në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt. Në total janë kontrolluar 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale dhe shtëpi private.

Po ashtu “blutë” kanë sekuestruar 170.000 euro para cash dhe 5 automjete.

“Veprime policore në këtë fushëveprim, gjithashtu janë ndërmarr edhe nga hetimet rajonale dhe stacionet kompetente policore, ku ka pasur rezultate konkrete në parandalim dhe po ashtu arrestim të personave të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale. Në totalin e bastisjeve/kontrolleve dhe arrestimeve janë përfshirë edhe veprimet e ndërmarra policore në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione të ndryshme, 8 persona janë arrestuar dhe nga ta 4 janë dërguar në mbajtje. Këto operacione përfaqësojnë një angazhim të fuqishëm dhe të koordinuar institucional në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda, krimit ekonomik dhe organizimit të aktiviteteve të paligjshme që cenojnë rendin juridik dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftim.

Më herët ministri i Brendshëm Xhelal Zveçla foli për 26 të arrestuar dhe 150 mijë euro të sekuestruara, informacion që u përditësua në orët në vijim nga autoritetet.

“Në të gjithë territorin e Kosovës, me të njëjtin përcaktim: luftimin e kriminalitetit pa kompromis. Përveç aksionit anti-drogë në Pejë, mbrëmë u zhvillua edhe një aksion tjetër i madh i Policisë së Kosovës në dhjetëra lokacione të ndryshme në Mitrovicë dhe Vushtrri, me objekt veprimtari të dyshimta në lidhje me veprat penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Në këtë aksion të arrestuar përfunduan 26 persona e me rreth 150 mijë euro të sekuestruara. Të përkushtuar për rend dhe ligj, kudo”, ka shkruar ai.