Turistët nga Kosova kanë populluar plazhin e Shëngjinit, që është një nga perlat e bregdetit të Adriatikut.Një pjesë e madhe e tyre kanë mbi dhjetë ditë që qëndrojnë në këtë bregdet dhe gjatë prononcimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare kanë shprehur vlerësime maksimale për mikpritjen, pastërtinë dhe nivelin e shërbimit.
“Jam nga Peja dhe kemi ardhur për pushime këtu. Na pëlqen Shëngjini, kemi ardhur dhe më përpara dhe çmimet nuk kanë lëvizur, jemi në rregull. Niveli i pastërtisë është shumë mirë. Është shumë mirë çdo gjë. Kam 9 ditë që pushoj këtu”,- u shpreh një qytetar.“Kam 4 ditë këtu. Ishim të izoluar për një kohë të gjatë në Kosovë dhe kur u vendos hapja e kufirit vendosa të bëj pushimet këtu. Është shumë mirë dhe i ftoj dhe bashkëqytetarët e mi të vijnë të vizitojnë Shëngjinin dhe Shqipërinë”,- tha një qytetar tjetër.“E kemi gjetur fenomenal Shëngjinin. Çadrat janë vendosur nga tre metra e gjysmë larg. Çdo gjë është në nivel”, tha një qytetar i cili po pushon bashkë me familjen.“Jam prej një jave këtu. Këto dy ditët e fundit ka pasur shumë fluks. Më pëlqen shëtitorja. Në përgjithësi mirë është, nuk kemi pasur probleme. Një mikpritje e jashtëzakonshme. Dje ishte plot e për plot. Unë jam nga Hasi i Prizrenit, dy orë e gjysmë larg. Dje disa shokët e mi ishin këtu dhe bënë një vizitë njëditorëshe. I ftoj të gjithë bashkëqytetarët të vijnë këtu”,- tha ai.
Dy zonja nga Peja u shprehën se gjendja këtë vit në plazh ishte fenomenale. “Fenomenal. Sivjet në nivel, pastërtia në rregull. I ftoj që të vijnë në Shëngjin, do të kalojnë shumë mirë”,- u shpreh njëra prej tyre.
“Pejane jam dhe unë. Jemi këtu prej 5 ditësh. Gjithçka mirë, në nivelin e duhur. Edhe të tjerët në Kosovë që po mendojnë për pushime të vijnë këtu të shijojnë këtë bregdet”,- tha zonja tjetër.Renaldo Xhani, drejtori i Turizmit në Bashkinë e Lezhës tha se institucionin që ai përfaqëson ka ndërmarrë masa të rrepta për pastërtinë e plazhit. “Kemi marrë masa të rrepta për pastrimin e plazheve dhe jo vetëm. Kemi vendosur një grup punonjësish që monitoron përgjatë çdo dite çështjen e pastërtisë. Kjo u vërtetua nga turistët e parë që zgjodhën Lezhën, ata ishin falënderues”,- tha Xhani.
“Kemi bërë dhe një fushatë promovimi në Kosovë për t’i bërë ftesë të gjithë atyre që duan të pushojnë të zgjedhin Shëngjinin. Shëngjini, Lezha, Talja, janë një kompleks ofertash për një turizëm veror, kemi Ranën e Hedhun, që është një perlë, që nuk gjendet në asnjë pjesë tjetër të Adriatikut. I bëj ftesë të gjithë atyre që duan të pushojnë në Lezhë të vizitojnë Shëngjinin”,- tha Xhani.“Po ashtu kemi asete të rëndësishme kulturore, si memoriali i Skënderbeut, muzetë, kishat, Malin e Rrencit, ku kemi realizuar një shteg, ku turistët mund ta shëtisin fare lehtë edhe vetë, pasi ka tabela treguese dhe gjithçka tjetër.”,- tha Xhani.
“Porti i Shëngjinit është një tjetër mundësi. Vitet e fundit kanë ardhur edhe jahte, turistët e të cilëve e vizitojnë Shëngjinin, vizitojnë Lezhën, ndoshta shkojnë deri në Zadrimë për kulinarinë. Ky port ka dhënë garanci dhe i shtyn që këto jahte të rikthehen sërish”,- tha Xhani.“Fusha e agroturizmit ka një ofertë të spikatur që njihet në të gjithë botën, ku në zonën e Zadrimës kemi një kompleks që po bëhet brand i gjithë Shqipërisë”,- shtoi Xhani.