Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “nuk mund të jemi të ndarë dhe nuk mund të sherrosemi për interesin strategjik”.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i pyetur mbi bashkimin e spektrit politik në Kosovës Rama tha se, “e di që ka politikanë dhe udhëheqësa që duan të drejtojnë të gjithë Ballkanin ndërkohë që kanë përgjegjësinë të drejtojnë thjesht dhe vetëm partinë e tyre në funksion të marrjes së qeverisë dhe drejtimit të vendit të tyre. Unë nuk jam si ata. Unë nuk kam asnjë të drejtë dhe natyrisht nuk ka marr përsipër në asnjë mënyrë që t’ju tregojë miqve, vëllezërve, kolegëve në Kosovë se çfarë duhet të bëjnë për atë që është detyra dhe përgjegjësia e tyre në administrimin e jetës politike”.

“Së pari sepse nuk mendoj se jam aq i zgjuar sa nga Tirana të jap mend sesi qeveriset Kosova edhe pse duhet ta pranoj që ka në hapësirën shqiptare shumë individë që kanë një zgjuarsi supreme që mund të drejtojnë dhe botën në qoftë se do kishin disponibilitetin e dëgjimit nga liderët botërorë”, u shpreh Rama.

“Është absolutisht e drejta dhe detyra e tyre. A e zgjerojnë qeverinë, a e ngushtojnë qeverinë? A zgjedhin të bëjnë diçka tjetër kjo është absolutisht e drejta dhe detyra e tyre? Nuk është as detyra dhe as e drejta ime të jap mend për këtë punë dhe për më tepër pastaj të bëj komente në këtë drejtim”, tha Rama.

“Unë kam komentuar dhe mund të komentoj vendime dhe veprime të caktuara të lidërve në Kosovë kur ato lidhen me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës apo me interesat strategjike të shqiptarëve në aspektin e përballjes me Serbinë në këtë luftë të ftohtë diplomatike në arenën ndërkombëtare. Të tjerat nuk janë detyrat dhe përgjegjësitë e mia”, theksoi Rama.

I pyetur nëse do ta përkrahë Shqipëria Kosovën nëse vendos të padisë Serbinë për genocid pranë ndonjë gjykate ndërkombëtare, Rama tha se, “ne jemi një komb, jemi një familje, por jetojmë në dy shtete dhe dy shtëpi të ndryshme dhe mesa unë di një shtet nuk mund të bëjë padi për një shtet tjetër. Në kuptimin, në emër të një shteti tjetër. Në të gjitha rastet unë besoj se kjo që ka ndodhur me presidentin e Kosovës dhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, nuk mundet dot të përballohet duke bërë sikur po intensifikojmë luftën me Serbinë. Përkundrazi unë besoj që bërja sikur po intensifikohet lufta me Serbinë, duke u barrikaduar dhe duke filluar nga “fletrrufetë” për atë çka ka ndodhur vetëm dobëson pozicionin e Kosovës dhe forcon pozicionin e Serbisë, që të jemi shumë të qartë”.

“Nganjëherë në situata të tilla, aleatët më të mëdhenj të kundërshtarit, janë me ose pa dashje ata që bëjnë dikur e luftojnë kundërshtarin më fort. Sepse kur ka një proces të pashmangshëm, nuk e shmang dot. Jo vetëm sepse fqinjin nuk e zgjedh, e ke aty. Dhe jo vetëm sepse me fqinjin, kur zgjedh të lësh armët, duhet të bësh çmos të bësh paqe, jo për fqinjët, por për fëmijët e tu. Por edhe sepse në një proces si ky, duhet bërë pyetja sot çfarë duhet të presim ne? Shqiptarët, në vitet e fundit s’kanë qenë kurrë më mirë sesa në të gjithë historinë e tyre. Kjo është e vërteta. Kemi dy shtete. Jemi një rast unika. Kemi dy shtete. Por nga ana tjetër sa më shumë sfida e paqes komplikohet dhe sfida e qeverisë komplikohet, aq më shumë ne shohim sidomos në këto pak vite të fundit të prevalojnë instiktet dhe metodat e vjetra që në historinë tonë na kanë shkatërruar gjithmonë, të sherrnajës dhe dasisë mes vedi edhe kur vjen fjala për interesin e madhe kombëtar, apo për interesin strategjik”, tha Rama.

“Nuk ka asnjë problem të jemi të ndarë apo të sherrosemi për reformën zgjedhore, të jemi të ndarë dhe të sherrosemi për mirëadministrimin apo keqadministrimin e pandemisë, të jemi të ndarë apo të sherrosemi për 1001 gjëra, por nuk mund të jemi të ndarë dhe nuk mund të sherrosemi për interesin strategjik. Dhe pjesë thelbësore e interesit strategjik është procesi i dialogut për të arritur në njohje përfundimtare”, theksoi Rama.

“Çfarë presim ne? Presim që Presidenti i Serbisë të deklarojë që do të njohë Kosovën? Apo presim që Presidenti i Serbisë të tregojë që ndjehet keq pse ne nuk jemi në gjendje të flasim me një zë? Mos i prisni këto, nuk kanë për të ndodhur, deri sa të ndodhin. Kurrë. Sepse procesi vazhdon dhe kjo është një luftë diplomatike. Është shah nuk është boks”, u shpreh Rama.

Kurse ne, theksoi Kryeministri, “e kemi shumë lehtë të biem rëndom në gracka fare banale, siç është edhe gracka e një grupi që qenka angazhuar në një pazar për të ndarë Kosovën dhe të një grupi tjetër që qenka angazhuara ta mbrojë Kosovën. Jo më nga jashtë, por nga armiku i brendshëm. Edhe u gjetën armiqtë e brendshëm, edhe në Prishtinë dhe Tiranë dhe u ndërtua një histori e tërë që për fat të keq shumëkush edhe priret ta besojnë. Ndërkohë që kjo është tallja më e madhe që mund të bëhet me Kosovën, nga ata që medemek e mbrojnë Kosovën nga ky Pazar. Kjo është tallja më e madhe që mund të bëhet me popullin e Kosovës. Po mbi të gjitha me fëmijët e Kosovës. Sepse është shumë e thjeshtë. Si u ndaka Kosova mçeftas. Nëse do të ekzistonte premisa apo mundësia që një grup njerëzish, me në krye Hashim Thaçin të ishin të angazhuar për ta ndarë Kosovën mçeftas dhe nëse do ta marrim këtë si diçka që mund të ndodhë në realitet. Ku do ta çonin këta Kosovën e ndarë, në shtëpi ? Do ta fshinin në pyll? Apo do e fusnin në bagazh të makinës? Siç doli dhe lajmi që futën Behxhet Pacollin. Si? Do ta sillnin në Kuvendin e Kosovës, do ta sillnin në mexhelisin ku do ta shifte gjithë populli i Kosovës dhe do të duhej ta kalonin me referendum. E si do të ndodhte kjo?”.

“Mirëpo teoritë e konspiracionit dhe e folura me dy kuptime dhe me dy fytyra na ka bërë shumë dëme në histori. Mund të na bëjë një dëm shumë të madh sot kur kemi në të njëjtën kohë, dy çështje të mëdha që tanimë janë të ndërlidhura me njëra – tjetrën, jo direkt, por si reflekse në pasqyrë. Domosdoshmëria që drejtësia ndërkombëtare të mos deformohet duke u kthyer në një padrejtësi kombëtare dhe që në këtë proces drejtësie të rilihet në fokus të të gjithë botës edhe një herë nga e para që në këto 21 vjet Kosova i ka qëndruar strikt të gjitha angazhimeve për drejtësi. Ndërkohë që në Serbi nuk mund të thuhet që ka ndodhur e njëjta gjë. Dhe nga ana tjetër dialogu. Kush do të ishte pala më e interesuar që të mos ketë dialog? Është shumë e thjeshtë, Serbia. Kush do të ishte pala më e interesuar që ky konflikt të mos zgjidhet? Serbia. Kush do të ishte pala më e interesuar që Kosova të mbetej gjysmë e njohur, gjysmë e panjohur dhe në çdo proces të ishte me një këmbë në bashkësinë ndërkombëtare edhe me një komb jashtë saj? Serbia. Atëherë kushdo që nxit dhe kushdo që propagandon prishjen e procesit të dialogut. Historitë e konspiracionit dhe një gjasmë luftë botërore me Serbinë me facebook thjesht dhe vetëm bën siç i themi ne, ha bukën e shtëpisë dhe bën duvanë e komshiut”, tha Rama.