Nga Alba Malltezi /
Një bashki në një qytet të Italisë fqinje ka vendosur të presë një pemë dhjetëravjeçare lisi. Nuk është kaq e thjeshtë dhe sidomos bashkia e qytetit të vogël e ka përzemër të informojë komunitetin përmes një komunikate të publikuar në website e saj.
Më pëlqen veçanërisht ta prezantoj kështu siç e kanë shkruar ata, duke perceptuar ndjeshmërinë e komunitetit, të zgjedhur dhe zgjedhës, ndaj gjelbërimit. Pema e lisit do të pritet me datë 23 korrik 2020.
Njoftimi: E enjte 23 korrik 2020 “Me datë 23 korrik 2020 nga ora 8.00 deri në orën 12.00 në rrugën Manzoni, mes urës së lisave dhe kalimit në anën e hyrjes së pasme të shkollës fillore, do të pritet një lis i madh amerikan për shkak të sëmundjes së shfaqur në bazën e trungut. Për të vlerësuar gjendjen strukturore të pemës dhe për të konsideruar ndërhyrjet e mundshme kuruese, u kryen nga agronomi i ngarkuar nga Bashkia, hetime të thelluara me rezistograf në zonën e dëmtuar ku u dallua një gërryerje e thellë e brendshme në trung. Sëmundja, e cila është shfaqur edhe në sipërfaqe pasi trungu është sulmuar nga kërpudhat dëmtuese, është e pashërueshme dhe e pandalshme, duke çuar pemën në tharje dhe duke rritur njëkohësisht rrezikun e rënies. Vendimi i prerjes së lisit u mor duke pasur parasysh madhësinë e pemës, përkuljen, dhe sidomos ndodhjen pranë shkollës fillore dhe rrezikun e rënies në një rreze që do të prekte territorin e shkollës”.
Të enjten, 23 korrik, do të ketë një lis më pak në bashkinë e gjelbër italiane, por kjo komunikatë tregon se sa mirë i ka bërë gjelbërimi njerëzve në qytetin e vogël në veri të Italisë.