Kryeministri Edi Rama ishte sot në Laç, ku pa nga afër procesin e punës së ndërtimit të banesave të reja individuale por dhe atyre kolektive në sheshin prej 4 hektarësh të vënë në dispozicion nga Bashkia e Laçit për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar. “Gati për pak ditë sheshi 4 hektarë për bllokun e parë (1/1) të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit dhe gjithë procedurave të prishjeve e të shpronësimeve gjithashtu, të cilat janë kryer me rigorozitet të plotë për të përmbushur çdo detyrim ligjor ndaj pronarëve dhe për të mundësuar zhvillimin e integruar të gjysmës së lagjes së re të qytetit. Për këtë pjesë po angazhohet Agjencia e Strehimit të Republikës së Turqisë”,- njofton Rama.

“Kanë nisur prishjet e 23 godinave të tjera në bllokun e dytë (2/2) që është gjysma tjetër e lagjes së re, e cila ndahet nga rruga kryesore, e ku do të ndërtohet edhe Spitali i Ri për të cilin Ministria e Shëndetësisë po pret përfundimin e garës. Ky bllok do të ndërtohet me fondet e qeverisë shqiptare. Paralelisht po punohet për projektin e rrugës drejt Sh’na Ndoit, që do të plotësojë ndërhyrjen masive në këtë qytet, ku falë vendit të shenjtë hyjnë çdo vit 2.5 milion vizitorë – çka me lagjen e re e plot shërbime cilësore do ta kthejë Laçin në një qytet të vogël të turizmit religjioz”,- theksoi Rama.

Kryeministri Rama nënvizoi se e mira nuk ka fund, por po punohet me shpejtësi të lartë. “Pastrimi i inerteve është i domosdoshëm. Na mori kohë kjo çështja e COVID dhe nuk patëm mundësi, pasi do e kishim ndërtuar spitalin e Laçit si spital COVID. Paralelisht me këtë kemi pasur dhe procesin e projektimit, që ka dhe ai kohën e vet. Po gjithë procesi i ndarjes së financimeve me mbështetje financiare për ata që do merren me meremetimin. Procesi i përgatitjes së zgarave, vetvetiu është një kohë që po të ishte në procedurë normale do merrte më shumë se çfarë ka marrë, pa llogaritur efektin e bllokimit nga COVID-i. E mira s’ka fund dhe nëse do kishim eksperiencë të kësaj pune, mbase diçka më shpejt, por nuk besoj se edhe me eksperiencë do kishim bërë dot më shpejt se dy javë nga afati i tanishëm”,- tha Rama.

Kryetarja e Bashkisë së Laçit, Majlinda Cara theksoi se ka përfunduar shembja e objekteve. “Jemi në procesin e largimit të inerteve. Janë 33 objekte të shembura, familjet janë akomoduar nga Bashkia me banesa me qira. 4.5 hektarë tokë të vëna në dispozicion nga bashkia e Laçit për kantierin dhe sheshin ku do të ndërtohet. Kanë parë gjithë tokën dhe po bëjnë rehabilitimin e saj. Është dhe spitali i Laçit që do ndërtohet këtu”,- tha Cara.

“Vonesa vjen për shkak të pandemisë dhe përtej pandemisë kemi pasur procese të detajuara, radhë pas radhe. Së pari, akomodimi i gjithë banorëve që jetonin në banesa të pabanueshme, duke u trajtuar me bonus qiraje. Kemi pritur ekspertimin e thelluar të çdo objekti për të parë se cilat objekte do t’i nënshtroheshin rikonstruksionit. Pas ekspertimit rezultuan 33 pallate për t;u shembur. U morëm me të gjitha dosjet dhe u analizuan për të pasur një dokumentacion të plotë, që të ishin të qetë dhe banorët për të vijuar me hapat tanë. Pas analizës së thelluar Këshilli Bashkiak mori vendimin e shembjes së pallateve”,- tha Cara.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se “ka nisur të ndërtohet kantieri. Menjëherë sa të pastrohet kjo zona, nis puna me infrastrukturën. Procedurat e spitalit duan dy javë, më pas nis puna në terren. Në fund të shtatorit nisin themelet e pallateve. Është një kohë e gjatë për ata që janë në hall, pasi çdo ditë që kalon është si një muaj, por për volumin e punës së bërë është realizuar në kohë të shpejtë. Krahasuar me procedurat normale, po të ishim në procedurat normale do ishim në janar apo në shkurt të vitit 2021 këtu ku jemi”,- tha Ahmetaj.