Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rruga e Arbit”. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit tokë “arë” dhe “pemëtore”, me vlerë 16 808 960 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tetë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) lekë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 16 808 960 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tetë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga fondet buxhetore për vitin 2020, të miratuara në zërin “Shpronësime”, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”.
Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në Autoritetin Rrugor Shqiptar.Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të shtetit. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës si dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.