Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në kohë rekord nis disbursimin e pagesave, subvencion për fermerët nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2020. Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, e cila shprehet se “kthehesh në zyrë në mbrëmje nga një shërbim në zona të thella, pas 1200 km rrugë të përshkuar dhe gjen dyqind e pesëdhjetë pagesat e para të Skemës Kombëtare për mbështetjen e drejtpërdrejtë për blegtorinë, gati për t’u firmosur”. “Në më pak se një muaj nga mbyllja e afatit të aplikimeve (19 qershor), kemi shpallur vijën e financimit dhe listat fituese, kemi bërë kontrollet administrative dhe kemi kryer verifikimin në terren për secilin nga dyqind e pesëdhjetë rastet”, – thotë Krifca.

Sipas saj, e gjithë struktura e AZHBR, që nga pranuesi i aplikimeve në Agropika, deri tek ekzekutuesi i pagesës dhe dërgimi në Thesar, e ka kryer të gjithë procesin në kohë rekord. “Krenare për skuadrën e AZHBR që përqafoi filozofinë për të qenë një administratë e zhdërvjellët, që nuk harxhon kohë, nuk gjen justifikime për kohë të vështira dhe është pranë fermerit”, – deklaroi drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca.