27 Korrik/ Task- Forca anti-COVID ka vijuar punën në terren me masa të shtuara edhe në fundjavë, për kontrollin dhe monitorimin e zbatimit të protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.
Në 24 orët e fundit Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës: Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, realizuan 600 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit. Janë vendosur 4 masa administrative me gjobë, në subjektet, të cilat janë gjetur në shkelje, duke mos zbatuar protokollet e miratuara: 1 masë administrative me gjobë në restorant dhe 3 masa administrative me gjobë në bar/kafe. Gjithashtu është vendosur edhe 1 vendim për pezullim të aktivitetit në pishinë.
Në total gjatë kësaj periudhe (të epidemisë) janë kryer mbi 127 mijë inspektime dhe monitorime dhe janë vendosur mbi 500 masa administrative me gjobë dhe pezullime aktiviteti për subjekte të gjetura në shkelje të protokolleve dhe rregullave për parandalimin e SARS COV2. Në ditët e fundit rreth 30 individë janë gjobitur për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura.
Ministria e Shëndetësië u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë dhe vendimin e ri të Qeverisë, i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, etj, si dhe ndalimin e muzikës për të gjitha aktivitetet pas orës 20:00.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin social, masat e higjenës dhe vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura. MSHMS bën apel të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët. Detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë për çdo individ në të gjitha ambjentet e mbyllura.
Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.