Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën për të kontraktuar kompaninë e cila do të ribëjë dhe njëherë projektin për dy segmentet e mbetura të Unazës së Madhe të kryeqytetit: Unazës Lindore e cila lidh zonën e Shkozës dhe të Dajtit me Kodrën e Priftit dhe vazhdimit të pjesës së unazës nga rrethrrotullimi Shqiponja te Lumi i Tiranës dhe Bulevardi i Ri. Këto janë dy akset e fundit të Unazës së Madhe të kryeqytetit, për të cilat nuk ka nisur ende puna, por që përfundimi i tyre eleminon pjesën më të madhe të trafikut në kryeqytet.
Nevoja për rishikimin e projektit lindi pas miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor “Tirana në vitin 2030”, i cili krijon hapësira të gjelbra dhe rikoncepton zhvillimin e kryeqytetit, duke përfshirë edhe futjen e sistemit të pagesës për të hyrë në zonat e qendrës së kryqytetit. “Projekti i Boerit ridefinon mobilitetin urban – futjen me pagesë në zonat qëndrore, promovimin ose ndarjen e makinave, favorizon një sistem “autobusë përkushtuar linjave” duke promovuar një përmirësim të lidhjeve me pjesën e jashtme të qytetit”.
Ndryshimi i dy projekteve do t’i kushtojë buxhetit një vlerë prej afro 500 mijë Euro, ku në bazë të njoftimit të kontratës, studimi dhe projektimi i parë që do të përfundojë është ai për Unazën Lindore që do të marrë 1 vit kohë dhe pas dy vjetësh do të përfudojë projekti i Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri. Nëse procesi do të financohet menjëherë nga buxheti i shtetit, Unaza e Madhe e kryeqytetit do të përfudojë tërësisht pas 4 vjetësh.