Një tjetër aks i ri në shërbim të zhvillimit bujqësor e rural që lidh fshatrat Kuqan, Bujqës, Jagodinë, Murriqan dhe Thanë, nga një gropë e zezë po transformohet në një hapësirë turistike dhe agroturistike. Teksa Kryeministri Rama ka ndarë pamje sesi ishte dhe sesi po transformohet, bëri të ditur se unaza bujqësore Kuqan – Bujqës – Jagodinë – Muriqan – Thanë në Elbasan është drejt përfundimit.

“Falë këtij investimi do të lehtësohet ndjeshëm jeta e mijëra familjeve fermere, transporti i prodhimeve të punës së tyre të palodhur dhe falë mbështetjes sonë të mëtejshme do të dyfishohet sipërfaqja e mbjellë me serra; për më shumë eksporte dhe më shumë të ardhura për rreth 20 mijë banorët e dy njësive administrative të Elbasanit, Shirgjan dhe Gjergjan”, tha Rama. Rruga Kuqan-Bujqës-Jagodinë-Murriqan-Thanë është një investim shumë i rëndësishëm që u mundëson bujqve të kësaj zone të nxjerrin prodhimet e tyre në tregjet e Shqipërisë dhe të Europës. Segmenti është i gjatë 7.2 km dhe janë parashikuar trotuaret në aksin e majtë e të djathtë të rrugës. Në këtë projekt është pjesa e kanalit vaditës, pasi zona merret kryesisht me bujqësi, si dhe janë parashikuar ndriçimet. Aksi rrugor i shkatërruar pengonte tregtarët të merrnin prodhimet bujqësore, të cilat më pas janë të destinuara kryesisht për eksport.