David Silva te Real Sociedad, Lazio mbeti “me gisht në gojë”, pavarësisht qëllimit nga të dy palët për ta mbyllur marrëveshjen. Klubi bardhekaltër u ndje i tradhtuar nga kampioni spanjoll. Me një shënim në faqen zyrtare, drejtori sportiv, Igli Tare, komentoi plot hidhërim: “Unë mësova për transferimin e David Silva te Real Sociedad. Kam respekt të madh për lojtarin, por jo për njeriun”.

Në fakt, nënshkrimi ishte në pritje, kontratat ishin dërguar te përfaqësuesit e lojtarit, që la Manchester City pas 10 vitesh atje. Pastaj, surpriza e hidhur: klubi bask dha njoftimin zyrtar, tradhtia e Silva ndaj Lazio u vërtetua plotësisht. Në “Formello” thonë se kishin planifikuar edhe vizitat mjekësore. Një marrëveshje prej 10 milionë euro në sezon, për tri vite, ishte akordi me lojtarin, plus një bonus nënshkrimi, përfitime të tjera dhe avion privat.

Kaq nuk mjaftoi. David Silva zgjodhi Spanjën për arsye familjare. Sa iu përket tifozëve të Lazio, kjo pistë rezultoi ëndërr e një nate vere. Nga ana e vet, Igli Tare, duke parë edhe reagimin publik, duket se ka përjetuar zhgënjimin më të madh si drejtor sportiv.