“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje sot nuk është një pikëmbërritje, por thjesht është një pikënisje për një proces të gjatë pune të përbashkët që na pret në të ardhmen”, deklaroi sot ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, ku Italia akordon 95 milionë euro për kapërcimin e pasojave nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Marrëveshja u firmos sot në Tiranë nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.

Ambasadori Bucci tha se “në Konferencën e Donatorëve, Italia mori pjesë me një shumë vërtetë të konsiderueshme prej 95 milionë eurosh të vëna në dispozicion të Shqipërisë”.

Kjo, u shpreh ai, “dëshmon edhe për marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Italisë sepse janë dy vende, jo vetëm mike, por janë dy shtete vëllezër të themi, sepse në momentet të vështira Italia i është gjendur Shqipërisë, sikundër edhe Shqipëria është me të vërtetë një faktor i rëndësishëm”.

“Shuma prej 95 milionë eurosh është e ndarë në 5 milionë euro, të cilat janë grante për qeverinë shqiptare dhe pjesa tjetër, pra 90 milionë euro është një kredi e butë në favor të qeverisë shqiptare, të institucioneve shqiptare. Fondet do të lëvrohen në sektorët kyç dhe parësor të ekonomisë, duke pasur parasysh edhe dokumentin që është hartuar pas goditjes të tërmetit”, tha Bucci.

Ne, shtoi ai, “këto fonde do t’i lëvrojmë në sektorët parësorë sidomos në ato të rindërtimit, por gjithashtu, një sektor tejet i rëndësishëm është edhe sektori energjetik, pra në infrastrukturën energjetike”.

“Gjithashtu sektorë të tjerë janë sektorë tradicionalë ose inovativ. Janë edhe për rindërtimin e enteve apo institucioneve publike, të cilat do të mirëpresin pikërisht institucionet publike shqiptare për të ushtruar veprimtarinë e tyre”, tha ai.

“Kemi përcaktuar gjithashtu edhe një sektor novativ që është ai i “blue economy”, pra është një sektor që përfshin aktivitetet e detit dhe që është shumë i rëndësishëm, sepse ofron një zhvillim ekonomik jo vetëm për zonat përreth, por edhe gjithçka që vërtitet apo që kanë të bëjnë me detin”, tha Bucci.

“Sektori tjetër, në të cilin ne do të lëvrojmë këto fonde është edhe sektori i emergjencave civile, apo sektori i mbrojtjes civile. Sektori i emergjencave civile italiane është një sektor i shkëlqyer që ka një famë ndërkombëtare, është i njohur ndërkombëtarisht. Ndërkohë do të doja të theksoja që emergjencat civile italiane kanë qenë të parat që erdhën në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar dhe mund të themi që kemi qenë të fundit, ose jemi ende të pranishëm këtu, sepse kemi ende disa përfaqësues të emergjencave civile italiane, të cilët po ndihmojnë autoritetet shqiptare për përcaktimin edhe të normativave për përballjen e vështirësive apo të dukurive të ndryshme natyrore që mund të godasin një vend”, tha ambasadori italian.