Situata kaotike e krijuar në Kakavijë ka bërë që në terren të dalin patrulla policie për të këshilluar qytetarët të shmangin në këtë kohë pikën kufitare deri në stabilizimin e situatës. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se në akset kryesore të vendit që lidhen me pikën kufitare të Kakavijës do të vendosen patrulla policie për këshillimin dhe të kërkojnë nga qytetarët që të shtyjnë udhëtimin për në Greqi në një moment më të përshtatshëm.
“Me gjithë masat e marra për normalizimin e gjendjes në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, gjendja mbetet ende problematike. Me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe të pritjes në radhë të gjatë të qytetarëve dhe sidomos të fëmijëve, Policia e Shtetit do të vendosë pika kontrolli në akset rrugore që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar për të këshilluar dhe kërkuar nga qytetarët që të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë për një moment më të përshtatshëm, ose të paktën të ndalojnë dhe të presin në kushte më të përshtatshme në qytetet ose fshatrat përgjatë rrugës, deri në krijimin e mundësive reale për kalimin e kufirit, pa orë të stërzgjatura pritjeje. Ftojmë qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim me forcat e Policisë dhe strukturat e tjera të angazhuara në menaxhimin e kësaj situate të pazakontë, të padëshiruar, por edhe të pashmangshme”, shkruan Lleshaj.