Malësia e Madhe zë vendin e parë në vendin tonë, për sasinë e kultivimit, grumbullimit dhe eksportit të bimëve mjekësore aromatike.
Kjo për shkak të potencialeve natyrore që ka kjo zonë në veri të vendit, por dhe politikave nxitëse të qeverisë për ripërtërirë traditën e banorëve të kësaj zone për t’u marrë me këtë aktivitet të rëndësishëm ekonomik që gjeneron punësim dhe të ardhura ekonomike.
Kryeministri Edi Rama, ka përcjellë pamje, nga sipërfaqet e fushave që kanë marrë ngjyrë vjollcë nga mbjelljet me bimë mjekësore aromatike.
Sot si asnjë herë më parë, zhvillimi i sektorit të bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe ka marrë një zhvillim të dukshëm, në sajë të mbështetjes financiare që jep qeveria përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Rama shprehet se “vit pas viti zgjerohen gjithnjë e më shpejt të mbjellat që gjenerojnë punësim zinxhir, fitim të ndershëm, eksporte në rritje në zonën e Malësisë së Madhe, ku mbështetja nga AZHBR-ja është shtuar vijimësisht dhe do të rritet edhe më shumë në vazhdim”.