Në shërbimin onkologjik falë masave të rrepta që janë marrë nuk ka pasur asnjë rast pozitiv me koronavirus
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka publikuar videomesazhin e mjekes së njohur në Shërbimin Onkologjik Dhurata Tarifa.
Në mesazhin e saj Tarifa shprehet se prej 6 muajsh po bashkëjetojmë me një virus sa të padukshëm aq edhe të rrezikshëm. Sipas saj për të shmangur këtë rrezik deri në daljen e një vaksine opsioni i vetëm që kemi është mbrojtja.
Teksa informon se në shërbimin onkologjik falë masave shumë të rrepta që janë marrë, nuk ka pasur asnjë rast pozitiv me koronavirus, Tarifa thekson se distancimi fizik, higjena personale dhe mbajtja e maskës mbrojtëse në ambiente ku nuk respektohet distancimi janë tre armët e vetme që mund të na shpëtojnë nga infektimi me COVID-19.
Mesazhi i plotë i dr. Dhurata Tarifës drejtuar qytetarëve.
Prej 6 muajsh po bashkëjetojmë me një virus të padukshëm, shumë virulent dhe me një topizëm pulmonar, me një sjellje bizare.
Atëherë, në mungesë të një vaksine për të luftuar këtë virus mbetet opsioni i vetëm, mbrojtja. Mbrojtja është në tre forma. Së pari, vendosja e një maske e cila duhet të jetë shumë e puthitur në fytyrë. Së dyti është distancimi fizik. Dhe së treti është higjiena personale dhe ajo territoriale.
Duhet të jemi korrekt me higjienën e trupit, por edhe në territor. Sepse jetojmë në komunitet, dhe komuniteti ka disa rregulla për pastërtinë e cila është në dorë të vetë banorëve apo të vetë kalimtarëve.
Në shërbimin onkologjik falë masave shumë të rrepta që janë marrë, deri tani nuk kemi pasur asnjë rast pozitiv me koronavirus. Kjo falë masave shumë të rrepta që janë marrë në shërbimin tonë duke filluar që nga hyrja e njerëzve të cilët detyrimisht do të jenë me maska të puthitura mirë, në matjen e temperaturës në hyrje të spitalit.
Thelbi që arma e vetme është mbrojtja, e cila është një armë që nuk ka kosto. Është një armë lehtësisht e zbatueshme.