Garancia Sovrane 2 është shtyrë deri në fund të shtatorit, duke i dhënë më shumë mundësi sipërmarrësve që të përfitojnë nga kjo mbështetje në kuadër të masave të marra në betejën e COVID-19.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj thekson se kjo është një shprehje e qartë e mbështetjes së qeverisë ndaj biznesit.

Denaj thotë se kjo është një nga masat e marra për të ndihmuar biznesin në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19

“Shprehim mbështetjen tonë ndaj biznesit duke aprovuar shtyrjen e Garancisë Sovrane 2 deri në fund të muajit Shtator”,- shprehet Denaj.

“Vijojmë të ndërmarrim masat e duhura për lehtësimin dhe zbutjen e efekteve ekonomike për çdo biznes në këtë situatë. Kjo garanci sovrane aplikohet për Bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe për nevoja në kapital qarkullues dhe investime”,- nënvizon ministrja Denaj.

Deri më 27 korrik 2020, kanë aplikuar 263 sipërmarrje dhe janë aprovuar 119 të tilla. Vlera në lekë e aplikimeve është 6 576 194 mijë lekë, në total e aprovuar është gati 50% e totalit, pra 3 109 206 mijë lekë.