Sulmuesi Emmanuel Adebayor beson se Cristiano Ronaldo do ta kishte bërë Real Madridi favorit për ta përmbysur rezultatin kundër Manchester Cityt në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.

Los Blancos humbën me rezultat 2:1 në Santiago Bernabeu në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, që u zhvillua në fund të shkurtit, ndërsa ndeshja kthyese ishte shtyrë shkaku i përhapjes së koronavirusit, transmeton Gazeta Express.

Real Madridi shfaqi formë mbresëlënëse kur sezoni 2019/20 rinisi në qershor, duke i fituar dhjetë ndeshje dhe duke e barazuar vetëm një, për ta mposhtur kështu Barcelonën në garën për titullin e La Ligës.

Ish-sulmuesi i Manchester Cityt dhe Real Madridit, tani në Olympia, Adebayor, beson se skuadra e Zinedine Zidane ka ende lojtarë që mund ta përmbysin rezultatin, mirëpo thotë se prezenca e Ronaldos – i cili e fitoi Ligën e Kampionëve katër herë me klubin spanjoll para largimit për në Juventus në vitin 2018 – do t’ua kishte rritur gjasat edhe më shumë.

“Nëse do të ma kishit bërë këtë pyetje dy vjet më parë, do të kisha thënë se po, Real Madridi do ta përmbysë rezultatin. Real Madridi do të ishte favorit po ta kishte Ronaldon”, ka thënë Adebayor.

“Atëherë, Reali e kishte Cristianon, që është makinë e golave. Ai mund ta bëjë dallimin në çfarë momenti dhe kontribuon në skuadër me nga 50 gola në sezon”.

“Real Madridi e humbi ndeshjen e parë në shtëpi dhe do ta kenë të vështirë pa tifozë, kundër Manchester Cityt, shkaku edhe i motit. Por, nuk është e pamundur. Reali ka lojtarë me përvojë, si Marcelo, Karim Benzema, Thibaut Courtois – ata janë mësuar të luajnë në ndeshje të mëdha”.