Modernizimi i Emergjencave Civile dhe FA, do ta kthejë Shqipërinë shumë shpejt në një prej më të mirëpajisurave në Ballkanin Perëndimor. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka publikuar një video me pamjet nga puna e realizuar për modernizimin e Emergjencave Civile. “Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura Shqiptare do të jenë shumë herë më të mirëpajisura dhe më dinjitoze në përballimin e fatkeqësive natyrore”,- thekson Xhaçka.

“Reformimi i emergjencave civile nisi me ligjin e ri “Për Mbrojtjen Civile” dhe krijimin i Agjencisë Kombëtare që do të menaxhojë, koordinojë dhe trajnojë strukturat vendore dhe ato të specializuara për përballuar sfidat e fatkeqësive natyrore. Pas bashkëpunimit me aleatin tonë në NATO, Turqinë, kemi flotën e re të ushtarakëve tanë të specializuar për emergjencat civile”,- shton Xhaçka. “Me vendosmërinë e qeverisë për të modernizuar dhe rritur kapacitetet e Emergjencave Civile dhe mbështetjen e aleatëve, Shqipëria shumë shpejt do të jetë një prej më të mirëpajisurave në Ballkanin Perëndimor”,- vijon Xhaçka.

Ambasadori i Turqisë në vendin tonë Murat Ahmet Yörük, ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy popujve dhe nënvizoi se vlera e mjeteve, pajisjeve dhe uniformave të reja të dhuruara nga qeveria turke arrin në 1,5 milionë dollarë amerikanë.Pjesa e parë e grantit të qeverisë turke përbëhet nga 6 autoambulanca të reja, të pajisura me të gjitha aparaturat dhe mjetet e nevojshme, mbi 100 çadra me sipërfaqe nga 25 deri në 100 m², 500 palë uniforma të posaçme kundër shiut, 400 palë kundër zjarreve në pyje, 250 palë uniforma kërkim – shpëtimi dhe 100 uniforma për zjarrfikës profesionistë.