Nuk është “plumbi” i fundit në historinë e Barçës, por nëse skuadra katalanase nuk triumfon sonte kundër Napolit, nuk do të ketë më “plumba” të tjerë për trajnerin Setien në stolin Blaugrana. Kundër të besuarve të Gattuso, nënkampionët spanjollë kërkojnë një jete shtesë, që do t’i lejojë ata të ridrejtojnë një sezon zhgënjyes nga fillimi në fund. Shkuarja në “Final Eight” të Lisbonë nuk siguron asgjë më shumë, sesa shmangë një gjë qesharake, që mund të shkundë themelet e “Camp Nou”. Por për ta arritur këtë dhe evituar “tërmetin” duhet eliminuar Napoli.Në çdo rrethanë tjetër, situata do të bëhej shumë e ndërlikuar. Kjo është Barça e Bartomeu dhe Setién, kështu që në Katalonjë askush nuk i beson barazimit (1-1) të arritur më 25 shkurt në “San Paolo”, para se futbolli, si krejt njerëzimi, të futej në karantinë prej Covid-19. Atë ndeshje, Barça e luajti me një qasje jashtëzakonisht konservatore, ndërsa arriti të shpëtojë falë golit të Griezmann.
Atë natë në Napoli, skuadra katalanase humbi Sergio Busquets për shkak të akumulimit të kartonëve të verdhë dhe Arturo Vidal për akumulim të nervave. Kiliani humbi toruan në momentet e fundit të ndeshjes dhe fitoi pezullimin (kartonin e kuq), që e pengon të luajë sot. Kjo ndodhi në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Champions-it, në Napoli. Gjatë izolimit, Blaugrana-t humbën Arthur, i cili vendosi të largohej në Brazil dhe të mos marrë pjesë në fazën finale të sezonit, i shitur tashmë te Juventusi.
Këto tri “viktima” janë ato që e vështirësojnë punën e Quique Setién, i cili gjendet para ndeshjes që mund të vendosë të ardhmen e tij si trajner i Barcelonës. Fatmirësisht, ai ka rikuperuar Lenglet, De Jong dhe Griezmann. Të tre, si dhe pjesa tjetër e skuadrës, kanë pasur kohë të pushojnë. Në këtë drejtim, katalanasit janë paksa më të avantazhuar, sepse do të luajnë kundër Napolit, që nuk ka pasur pushime dhe mbërrin në “Camp Nou” më i qetë, pasi nuk ka asgjë për të humbur. Përkundrazi, tifozët e Barcelonës mendojnë se, nëse nuk e kalojnë këtë raund të Champions-it, do të ketë patjetër “tërmet”