Qeveria Shqiptare ka shtrirë investimet jo vetëm në akset kryesorë kombëtare, por edhe në rrugët rurale të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm dhe në ekonominë lokale. Në kuadër të programit “Infrastruktura Vendore Rajonale”, finance i Qeverisë Shqiptare dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit , ka nisur puna për përmirësimin e infrastrukturës në aksin rrugor Boboshticë-Dardhë. Ndërhyrja fillon në fund të fshatit Boboshticë dhe përfundon në fillim të fshatit Dardhë. Rruga është pjesë e aksit kryesor që lidh rrugën nacionale Korçë-Ersekë me fshatin Dardhë.
Projekti synon të lehtësojë aksesin gjatë stinës së dimrit dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në drejtim të turizmit dhe ekonomisë lokale duke qenë se Dardha dhe Boboshtica janë fshatra të frekuentuara në katër stinët e vitit. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se ky është projekti i radhës në Dardhën turistike.
“Një çip parajsi i sbritur në dhe, ku të shlodhet edhe shpirti edhe trupi. Këtë çip parajsi ky pyllin e kini ne dera vizitoje ni vit për vit për të përmbajtur e për të plotësuar shëndenë tuaj”, kështu shkruhet në guidën turistike të Dardhës, botuar në vitet ’30”, shprehet Margariti. Qendra e Boboshticës në Korçë është përfshirë në programin e 100 Fshatrave e cila do të rijetëzohet falë projektit të qeverisë për rikualifikimin urban të kësaj zone mjaft të rëndësishme që do ta shndërrojë tashmë atë në një atraksion të vërtetë turistik.
Programi 100 fshatra përfshin së bashku me investimet në agroturizëm, me mbështetjen e AZHBR, edhe shndërrimin e këtij fshati të njohur për pemët shumëshekullore të manit e për prodhimin tradicional të rakisë, në një pikë tërheqëse të hartës turistike të vendit.
Mbështetja për agroturizmin dhe Programi i 100 Fshatrave kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale.
Edhe Dardha, rreth 17 km larg nga Korça është përfshirë në programin “100 fshatrat” për nxitjen e turizmit familjar dhe atij malor.
Në kuadër të këtij programi, do të hartohet projekti për sistemimin e pistës së skive dhe ndërtimin e kompleksit turistik dimëror në fshatin Dardhë.