Nga një gangrenë dhjetravjeçare fusha e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano do të kthehet në një oaz fantastik me gjelbërim dhe atraksione për të gjitha moshat. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga punimet që kanë nisur në prill 2020 në Porto Romano dhe pritet të përfundojnë në maj 2021. “Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë e transformimit të një gangrene dhjetravjeçare (që u bë shpesh lajm edhe nëpër Europë), në një oaz fantastik me gjelbërim dhe atraksione për të gjitha moshat, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Porto Romano konsiderohej si pika më e ndotur në bregdetin e Durrësit, me mbi 800 mijë m3 mbetje, ndërkohë që falë investimit në këtë zonë po kryhet kapsulimi sipas standardeve mjedisore europiane. Projekti i cili pritet të përfundoj në maj 2021 parashikon zonë parkingu, kopsht botanik dhe ambiente sportive ku përfshihen 3 fusha basketbolli, 1 fushë futbolli dhe një fushë tenisi. Po ashtu pritet të ndërtohet edhe Climbing Wall me 28 metër lartësi.