Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dy dekada pas luftës, të zhdukurit me dhunë mbesin plaga më e madhe dhe më e dhimbshme e shtetit tonë.“Sot Kosova dhe e gjithë bota shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Ditë kjo në funksion të ngritjes së zërit për të zbardhur fatin e të gjithë atyre që nuk janë në mesin tonë, fati i të cilëve përbën shqetësim jo vetëm për familjarët, por për shoqërinë në përgjithësi”, ka shkruar Osmani nga profilin e saj në Facebook.

Ajo ka thënë se janë 1643 fate jetësore për të cilat institucionet nuk arritën të bëjnë asgjë përgjatë këtyre 21 vjetëve.Osmani ka theksuar se “pesha e fatit të tyre rëndon mbi secilin politikan të Kosovës. Mbi ne bie përgjegjësia e zbardhjes së fatit të secilit, ndërkaq pesha e fajit bie mbi shtetin e Serbisë”.Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, ka thënë po ashtu se Kosova zhvillon negociata me Serbinë që kreu veprime gjenocidale, për të arritur atë që quhet marrëveshje përfundimtare.Ajo ka thënë se duket e pamundshme dhe anakronike një marrëveshje përfundimtare, pa zbardhje të fatit të të zhdukurve dhe pa adresim të fajit ndaj shtetit serb.“Sot ne nuk e kemi një përgjigje përfundimtare për familjarët e tyre, siç nuk e kemi as argumentin kryesor: si mund të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë teksa nuk e dimë ku i kemi njerëzit tanë, të cilët ajo i mori dhunshëm!.Paqe nuk do të ketë përderisa secila nënë e baba nuk e gjen fëmijën e vet e përderisa secili fëmijë nuk e gjen prindin e vet të zhdukur. Paqja ndër-shtetërore e ka parakusht paqen shpirtërore të 1641 familjeve në Kosovë”!Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-‘99. Familjarët e personave të pagjetur thonë se kanë humbur shpresën se të afërmit e tyre do të gjinden ndonjëherë. Të vetmen shpresë e kanë te bisedimet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.