Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë sërish në qendër të vëmendjes së medias lidhur me shpenzimet e luksit që ka kryer për të rritur standardet e jetesës.

Së fundmi, ai ka vijuar të investojë akoma më shumë ku këtë herë i ka kushtuar vëmendje transportit.

Burime brenda “selisë blu”, bëjnë me dije për gazetën “TemA” se lideri i opozitës ka blerë një makinë të re për të qenë më komod në udhëtimet që kryen.

Makina e re është një “Mercedes-Benz S-Class”, çmimi i së cilës i kalon 30 mijë euro.

Kryedemokrati, ka bërë edhe një manovër për t’i shpëtuar syrit të publikut për këtë shpenzim thuajse të panevojshëm për një politikan që synon të bëhet kryeministri i të varfërve para se të bëhet i të pasurve.

Ai ka përdorur të njëjtat targa si të makinës që përdorte më parë për të mos tërhequr vëmendje.

Ndërkohë, ky nuk i vetmi shpenzim luksi i kryedemokratit ku mund të kujtojmë atë të pak ditëve më parë ku u raportua se ai është afruar për të banuar tek blloku i vilave në Gjirin e Lalzit ku gjithashtu kanë vila presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha dhe eksponentë të rëndësishëm të politikës dhe biznesit.

Në tetor të vitit që lamë pas Basha u zhvendos nga apartamenti i tij në katin e 12, pranë kullave te “Qemal Stafa”, në kompleksin e vilave “Long Hill”, në periferi të Tiranës.

Një nga strategjitë e liderit të opozitës, dukshëm ka qenë edhe gjobëvënia ndaj emrave të mëdhenj të biznesit ku në këmbim të heshtjes pranon “dhurata” të shifrave të majme.

Kjo lidhet edhe me faktin se në deklaratat e tij publike, Basha flet gjatë gjithë kohës për favorizime të oligarkëve si presion ndaj tyre, por pa përmendur askënd me emër dhe mbiemër.

Ndërkohë, edhe pas këtij lajmi të publikuar nga “TemA”, pritet që kryedemokrati sërish përmes levave që ka në dispozicion, ta përgënjeshtrojë duke pretenduar se i merr me qera dhe nuk i blen.