Për herë të parë, nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme të bashkuar në Farkë do të kenë mundësinë e ushtrimit të sporteve të ndryshme në një palestër të re. Kjo godinë e re është e pajisur me tualete, dhoma zhveshjeje dhe mund të përdoret edhe nga ekipi profesionist i volejbollit, “Farka Volley”. Në përurimin e mjediseve të reja sportive, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi shpërndarjen gjeografike të investimeve dhe krijimin e infrastrukturës për ekipet sportive.
Kryebashkiaku falenderoi Presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi dhe drejtues të “Farka Volley”, të cilët ishin nismëtarë të projektit për ndërtimin e palestrës së re. “Është një investim jo vetëm për shkollën, por edhe me standarde për ekipin, i cili e meriton pasi sjell kupa dhe çmime për qytetin”, tha Veliaj.
Në vijim të mbështetjes që Bashkia e Tiranës jep për sportin, ai shtoi se shumë shpejt do të kalojë në Këshillin Bashkiak edhe shpërblimi për klubin e futbollit të Tiranës, pas shpalljes kampion në Kategorinë Superiore. “Shpërblyem me 150 milionë lekë ekipin e Tiranës, kalon së shpejti në Këshill Bashkiak. Po fituan edhe me Crvena Zvezda-n do miratojmë edhe një bonus tjetër sepse do të ishte historike. Përtej rivaliteteve që kemi, Farka, Tirana, Dinamo, Partizani, nëse një ekip shqiptar ecën lart duhet mbështetur”, u shpreh Veliaj.
Ai vlerësoi se investimi për palestrën e re në Farkë është bërë edhe për të dhënë një mesazh. “Ju na sillni pasion dhe politika më e mirë e bashkisë është se i çojmë investimet aty ku ka duk”, vijoi Veliaj. Më tej, ai theksoi se Bashkia e Tiranës do të mbështesë sportin dhe jetën e shëndetshme. Pas investimit në palestrën e zonës, Veliaj bëri të ditur se do të vijojë puna me pjesën e dytë të rehabilitimit të zonës përreth Liqenit të Farkës. Ai ftoi të gjithë banorët e kryeqytetit të frekuentojnë mjediset e liqenit dhe të shpenzojnë në këtë zonë për të rritur ekonominë e saj.
Krahas investimeve në zonë, paralelisht po vijon puna edhe për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmetit i 26 Nëntorit 2019. “Kemi ecur edhe me shtëpitë e tërmetit. Disa shtëpi që i kisha parë para 2-3 javësh, kishin mbaruar në afat”, përfundoi Veliaj. Shkolla e Mesme e Bashkuar ndodhet në Tiranë, Njësia Farkë. Objekti në zhvillim është shkollë 9-vjeçare dhe e mesme, e cila shtohet me një palestër në territorin e saj. Kjo palestër do të shërbejë për nxënësit e shkollës, si dhe për ekipin e volejbollit të Farkës.