Me rreth 9.5 km vijë bregdetare, Pishë Poro në Fier ofron plazhe ranore të pashfrytëzuara me detin e pastër dhe pyllin me pisha të buta. Duke ftuar turistët të vizitojnë bregdetin e Pishë Poros, Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi u shpreh se “kjo është një nga zgjedhjet e shkëlqyera për të kaluar fundjavën”.
“Jam i bindur që do të dëshironi të riktheheni për natyrën e mrekullueshme, rërën kurative dhe mundësitë e shumta për ushtrimin e sporteve në ujë”, tha ai. Vija bregdetare ranore e Pishë Poros në Novoselë, mbetet një destinacion turistik ende për t’u zbuluar. E shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pishë Poro ofron një vijë bregdetare shumë të përshtatshme për zhvillimin e turizmit familjar.
Pishë Poro është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë IV ndërsa njihet si një zonë e pyjeve të pishës mesdhetare. Në ujërat e pastra të deltës së Vjosës takohet lloji globalisht i rrezikuar lundërza, si dhe peshqit migratore (troftat). Pishë Poro mbetet po ashtu një zonë e rëndësishme për shpendët.