Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel deklaroi se është i gatshëm të thërrasë një samit të jashtëzakonshëm europian, më 24 dhe 25 shtator për të adresuar të gjitha temat joekonomike, që mbetën jashtë fokusit të samitit të korrikut, që iu kushtua ekskluzivisht Fondit të Rimëkëmbjes.

Sipas asaj që mësohet, Michel do të donte të vendoste në radhë të parë marrëdhëniet me Kinën dhe Turqinë, që po rezultojnë gjithnjë e më të vështira dhe që nuk janë diskutuar kurrë nga lidershipi i Unionit që nga fillimi i pandemisë, pasi në fokus ishte kriza ekonomike.

Në funksion të samitit BE-Kinë të planifikuar për në Gjermani, në Leipzig, në fund të shtatorit, të 27-t do të duhet të diskutojnë sidomos për çështjen e Hong Kongut.

Samiti do të jetë gjithashtu një mundësi për të vlerësuar në cilën pikë janë negociatat me Parlamentin Europian për buxhetin shumëvjeçar, mbi të cilin ky parlament do të votojë saktësisht në shtator.