Në një material sekret të Ministrisë së Mbrojtjes është zbuluar një hartë me zonat në jugun e Shqipërisë të piketuara nga Sali Berisha në vitin 1997, për t’u bombarduar me avionë luftarakë dhe më pas për t’i pushtuar me këmbësori, në kuadër të planit për shtypjen e rebelimit kundër pushtetit të tij pas vjedhjes së zgjedhjeve të 26 majit 1996, firmave piramidale, reprezaljeve me SHIK-un famëkeq të Bashkim Gazidedes etj.
Harta është zbuluar nga Komisioni për Hetimin e Ngjarjeve të muajve janar-qershor ’97, i ngritur pas rrëzimit të Berishës nga pushteti. Komisioni kryesohej nga Spartak Ngjela, ndërsa përbëhej nga anëtarët Spartak Braho, Sokol Hazizi, Fatbardh Hushi dhe Vladimir Fejzo. Në seancën plenare të parlamentit të datës 2 korrik 1998, anëtari i komisionit, Spartak Braho ka raportuar për rezultatet e hetimit.
Braho thekson se gjatë hetimeve është zbuluar një hartë me zonat më të nxehta, si Vlora, Tepelena, Përmeti, Saranda etj., të planifikuara për t’u bombarduar me avion dhe artileri, ku më pas do të hynte ushtria. Komisioni ka zbuluar edhe përgatitjen e 500 granatave me lëndë helmuese, të planifikuara për t’ua hedhur popullsisë. Lënda helmuese që përmbanin granatat ishte fatale për shëndetin e njeriut, ndaj kjo lēndë ishte e ndaluar nga konventat ndërkombëtare.
Po pse dështoi operacioni i Sali Berishës kundër qyteteve në Jug të Shqipërisë? Komisioni ka arritur në konkluzionin se operacioni dështoi pasi ushtria u shkatërruar dhe ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali u arratis duke mos pranuar të zbatojë skenarin Berishës dhe Gazidedes për bombardimet. Në këto rrethana, Braho thekson se disa krerë të PD me në krye Shaban Meminë armatosën militantë të PD për të zëvendësuar ushtrinë dhe për të luftuar kundër jugut.
Nga dokumentet e siguruara nga Shqiptarja.com, anëtari i komisionit hetimor Spartak Braho tha në seancën e 2 korrikut 1998 se në fund të pushtetit, Sali Berisha dhe Bashkim Gazidede kanë nisur një operacion për të zhdukur të gjithë dokumentet rreth veprimeve kriminale të tyre, sidomos në SHIK, Ministrinë e Brendshme dhe në Presidencë. Por, Braho ka raportuar se në Ministrinë e Mbrojtjes, e drejtuar nga Safet Zhulali, i akuzuar më pas nga Gazidede dhe Berisha për tradhti, janë gjetur materiale. Pas asgjësimit të dokumenteve me një makineri ë posaçme të blerë nga SHIK, Bashkim Gazidede, njerëzit e tij në SHIK, deputetë dhe ministra u arratisën nga Shqipëria, me përjashtim të Berishës.
Pjesë nga raporti i Spartak Brahos nga hetimi i komisionit për ngjarjet e vitit 1997
…Për sa u përket nënpyetjeve të tjera, nëse komisioni ka evindentuar operacione luftarake apo zona që janë vënë nën goditjen e këtyre operacioneve, varg dokumentesh të komisionit, që janë të arkivuara pranë Ministrisë së Mbrojtjes bëjnë fjalë për zona operacionale luftarake të veçanta. Fjala vjen në Ministrinë e Mbrojtjes ndodhet një hartë me nr. dhe sigël 7, ka një datë që është 4.3.1997, në të cilat parashikohen zonat ku do të bombardonte edhe aviacioni, edhe këmbësoria, edhe artileria dhe përfshihen zonat e nxehta, disa zona të nxehta të Jugut, siç është Fieri, Vlora, Tepelena, Përmeti, Saranda etj. janë të depozituara. Ky si material është në Ministrinë e Mbrojtjes.
…Komisioni disponon mjaft dëshmi dhe prova të shumta që vërtetojnë se ka pasur tentativa për përdorimin e lëndëve helmuese luftarake. Lëndët kimike kanë qenë të llojeve që hyjnë në kategorinë e lëndëve që ndalohen nga konventat ndërkombëtare të miratuara me ligjin 7747, datë 29.7.1993. Megjithëse shteti ynë dhe Ministri i Mbrojtjes e ka firmosur këtë konventë, me urdhër të Adem Çobanit, Safet Zhulalit, të Bashkim Gazidedes janë bërë përgatitje të ethshme për përgatitjen e rreth 400-500 granatave me lëndë helmuese për t’u përdorur në zonën e Fier Vlorës. Nuk kanë arritur t’i përdorin….
..Operacionet luftarake të Ushtrisë kundër popullsisë janë ndërpreë vetëm pasi ushtria u shkatërrua dhe, pa dyshim, po të shohësh një lidhje logjike, këto operacione kanë një lidhje të ngushtë me atë armatosje që bënë disa krerë të Partisë Demokratike si Shaban Memia në qytetin e Tiranës dhe të tjera në qytete të tjera. Akti ku disa nga drejtuesit pushtetarë lokalë janë bazuar për armatosje, apo më mirë akti justifikues, është ligji i miratuar nga Parlamenti “Mbi disa masa për gjendjen e jashtëzakonshme”, por në tejkalim të kompetencave dhe pa përcaktuar edhe kriteret se kush duhet të ishin armatosur, duke shfrytëzuar edhe situatën, disa drejtues të pushtetit lokal, unë desha t’i përmend edhe njëherë: në Tiranë Shaban Memia ka urdhëhequr turmat, në Durrës Sabah Jemishta, po kështu ka ndodhur edhe në rrethe të tjera si në Berat, Elbasan, Korçë. Mbështetur në dekretin “Mbi disa masa për përdorimin e armëve në gjendjen e jashtëzakonshme” është justifikuar armatosja e mjaft njerëzve, por pa kritere të veçanta…
…Përgjithësisht ka pasur përpjekje të vazhdueshme, të ethshme për të zhdukur, ata që lanë pushtetin. Bënë të tëra përpjekjet për të zhdukur materialet. Madje thuhet nuk e di nëse e tha në interpelancë kryetari i SHIK-ut, në SHIK ka qenë e importuar, e blerë një makineri me një vlerë të madhe që grinte materiale dhe ajo ka punuar me ditë të tëra që ka grirë materiale, një makineri e posaçme. Pasi janë larguar e kanë marrë edhe me vete këtë lloj makinerie. Edhe në institucione të tjera janë zhdukur, si në SHIK, në Presidencë dhe në Ministri të Brendshme. Në Ministrinë e Mbrojtjes janë gjetur materialet me bollëk. Natyrisht materialet e grumbulluara nga komisioni, për bindjen time, janë vetëm maja e ajsbergut, ka shumë materiale të tjera të cilat gjenden edhe në institucione, por edhe qytetarë të ndryshëm presin rastin, presin një vlerësim më serioz të organeve të shtetit për t’i dorëzuar e për t’i vënë në dispozicion të tyre…
…Agostin Marku pyet: A ka shkresë zyrtare apo dekret nga ish-Presidenti për krijimin e një formacioni special siç quhet në raport Garda 2? – Po, ka një shkresë zyrtare, të firmosur nga Belul Çelo ishMinistër i Brendshëm që krijimi i këtij formacioni është jashtë kompetencave të tij si Ministër i Brendshëm. Të drejtën për të shtuar forcat e Gardës, por vetëm nga Ushtria, e ka Komandanti i Përgjithshëm, por edhe kjo gjë duhej parashikuar në planin operativo-strategjik të mbrojtjes së vendit. Krijimi i kësaj Garde 2 është krejtësisht i paligjshëm. E theksuam edhe në material, janë harxhuar miliona lekë të reja, për krijimin dhe mbajtjen e këtij organizmi ushtarak…(Shqiptarja.com)