TIRANE-E ndërsa dje premtoi rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, kryeministri Edi Rama sot ishte sërish në QSUT sebashku me ministren Manastirliu, por këtë herë për një investim, spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme. Godina do të ketë 317 shtretër, ndërsa parashikohet edhe një spital ditor me 60 shtretër. Afati i përfundimit të punimeve është shtatori 2021.
“Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme është një tjetër hallkë e zinxhirit të investimeve tona transformuese të QSUT, të cilat po e kthejnë hap pas hapi kompleksin më të madh spitalor të Shqipërisë, në një hapësirë shërbimesh shëndetësore të rangut të parë në rajonin tonë. kur Ogerta mori drejtimin e QSUT-së 7 vjet më parë, ky kompleks ishte pasqyra më rrëqethëse e degradimit shumëvjeçar të shërbimit shëndetësor shqiptar, një hapësirë ku nuk kuptohej ku mbaronte tregu i rraqeve dhe ku fillonte pazari i gjësë së gjallë, që vazhdonte quhej për inerci shërbim shëndetësor, ndërkohë që përveç heroizmit të mjekëve e përkushtimit të infermierëve, të cilët mezi dalloheshin mes turmës së miletit, mungonte gjithçka tjetër. Sot, gjithçka është ndryshe, pavarësisht se ka ende shumë për të bërë, duke filluar nga rritja e domosdoshme dhe e konsiderueshme e rrogave të personelit shëndetësor” tha Rama.